Shpresë për të verbrit! Terapia gjenetike jep rezultatet e para në rikthimin e pjesshëm të shikimit

Një terapi gjenetike eksperimentale ka treguar se mund të rikthejë pjesërisht disa funksione të shikimit te personat me verbëri të avancuar, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore New England Journal of Medicine, ka shkruar The Guardian.

Studimi përfshiu 10 persona me retinit pigmentoz, një grup sëmundjesh gjenetike që dëmtojnë gradualisht qelizat e retinës përgjegjëse për perceptimin e dritës. Kjo sëmundje mendohet se prek më shumë se 1.5 milion njerëz në mbarë botën.

Si funksionon trajtimi?

Terapia, e njohur si optogjenetikë, përdor një injeksion në sy për t’u dhënë disa qelizave nervore të retinës aftësinë për t’iu përgjigjur dritës. Më pas, pacientët përdorin syze speciale që kapin pamjet përreth dhe i shndërrojnë ato në sinjale drite, të cilat aktivizojnë këto qeliza.

Falë kësaj metode, disa pacientë kanë arritur të dallojnë, të lokalizojnë dhe të prekin objekte, të gjejnë një derë dhe të ecin përgjatë një vije. Megjithatë, pamjet që perceptojnë janë bardhezi dhe shikimi nuk është ende mjaftueshëm i qartë për të dalluar fytyrat.

Nga 10 pjesëmarrësit, gjashtë patën përmirësime domethënëse në ndjeshmërinë ndaj dritës. Studiuesit vunë re gjithashtu se pacientët që ushtruan më shumë me syzet speciale priren të arrijnë rezultate më të mira.

Një tjetër rezultat inkurajues është siguria e trajtimit. U raportua vetëm një efekt anësor i rëndë në sy, i cili u zgjidh brenda pak minutash, ndërsa te pjesëmarrësit e tjerë nuk u evidentuan efekte anësore në pjesën tjetër të trupit. Përmirësimet në disa funksione të shikimit u ruajtën për katër deri në pesë vjet te pacientët e ndjekur për këtë periudhë.

Shpresë për të ardhmen, por edhe kufizime

“Ajo që mund të themi me siguri është se koncepti i optogjenetikës funksionon për rikthimin e shikimit”, ka thënë profesori Botond Roska, një nga drejtuesit e studimit.

Ai theksoi se synimi i ardhshëm është rikthimi i shikimit me rezolucion më të lartë, duke shpresuar se kjo mund të arrihet brenda pesë deri në dhjetë vjetëve.

Profesori Mark Hankins, nga Universiteti i Oksfordit, i cili nuk ishte pjesë e studimit, e vlerësoi këtë përparim duke thënë se “janë hapa të vegjël, por thelbësorë”.

Sipas tij, studimi jep më shumë siguri për përdorimin e kësaj metode dhe tregon se ajo mund të rikthejë në mënyrë të qëndrueshme një pjesë të funksionit të shikimit.

Edhe pse terapia nuk e rikthen shikimin normal dhe ende nuk mundëson dallimin e fytyrave, rezultatet përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt trajtimeve të reja për personat me verbëri të shkaktuar nga sëmundjet e retinës.