Ekspertët për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndjehen të shqetësuar se Liqeni i Ohrit ka gjasë që ta humbasë statusin e trashëgimi Botërore në UNESCO. Arian Meroli nga rrjeti i shoqatave për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore në rajonin e Ohrit thotë se UNESCO dy vite më parë kërkoi nga institucionet që në shkurt të vitit 2022 dhe në shkurt të vitit 2023 të kenë të përgatitura dokumente me strategji dhe plan për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore. Ai shton se deri më tani nuk janë konsultuar nga autoritetet dhe as nuk kanë parë dokument me plan për zbatimin e rekomandimeve nga UNESCO.
“Për fat të keq qoftë dokumentet për vitin 2022 ashtu edhe ato që pritet të dorëzohet në vitin 2023 ende nuk janë publike, akoma nuk janë diskutuar me grupet e interesit në rajon dhe që është më e keqja se koha e ngelur deri në realizimin e datës së përcaktuar nga UNESCO është shumë e limituar dhe do ta bëjë shumë të vështirë që të bëhet plan i detajuar për të përmirësuar qasjen karshi mbrojtjes dhe konservimit dhe menaxhimit të këtij ekosistemi dhe mbi të gjitha do e bëjë të pamundur bashkëpunimin konkret dhe frytdhënës midis klubeve të interesi për realizimin e atij qëllimi final, Të mbrojmë Liqenin e Ohrit si trashëgimi Botërore”, tha Arian Meroli, Ekspert për Mjedisin dhe trashëgiminë natyrore botërore.


