Gjykata Themelore në Prishtinë, sot ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Gani Gecit, të dyshuarit për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, duke listuar arsyet e këtij vendimi.
Sipas vendimit, Geci në seancë dëgjimore ka deklaruar se nuk arratiset, se dëshmitar i rastit është vetëm babai i Mehmetajt, dhe se nuk ka kanosur askënd por ka kërkuar mbrojtje të familjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“….prokuroria është marrë vetëm me prova fajësuese dhe nuk ka marrë parasysh provat fajësuese. Po ashtu ka shtuar se nuk do të arratisem pasi nuk jam arratisur asnjëherë. Sa i përket rrezikut në dëshmitar, ka shtuar se në këtë rast, dëshmitar është vetëm babai i të dëmtuarit dhe se nuk ka si të ndikojë tek ai. Sa i përket rrezikut të përsëritjes ka shtuar se unë vetëm kam kërkuar të mbrohet familja ime dhe se nuk kam kanosur askënd”, citohet Geci në vendimin e marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti.


