LajmeMaqedoniOpinion

Demagogji dhe mediokritet para medresantëve

Akreditimi i Medresesë “Isa Beu” nënkupton jo vetëm pranim të diplomave të kësaj Shkolle të Mesme Profesionale, por edhe implikime financiare që duhet të mbulohen nga buxheti shtetëror! Që nga ky moment, do të duhej të heshtin të gjitha apelet që të jepen fitra e zeqate, kurbana e kontribute të tjera për Medresenë, në emër të së cilës bashkësia “fetare” e Shaqir Fetait po vjedh pa hesap

Nga Blerim Hoxha

Me rastin e përfundimit të vitit akademik dhe marrjes së diplomave nga maturantët e Medresesë “Isa Beu”, qenka organizuar edhe një “event” sa për t’ia mundësuar Shaqir Fetait edhe një herë demonstrimin e pafuqisë së vet, dështimin katërcipërisht të tij, talljen e pushtetit me të që nga momenti kur pranoi të instalohet në krye të një Institucioni jashtëzakonisht të rëndësishëm sa për ta shprehur vullnetin e mirë në planin e shkatërrimit të BFI-së si dhe të të gjitha organeve dhe institucioneve të saj. Shaqir Fetai akoma nuk është i bindur se çfarë roli ka pranuar! Nuk është i bindur sepse ai ka vuajtu për rol, qoftë ky edhe negativ, apo edhe tragjik!

Shaqir Fetai këtë “event” e kishte përdorur edhe sa për ta vënë në dyshim konstatimin se, në raport me pushtetin ai është një pulen e puthadorë i pashembullt në historinë e BFI-së! Sakaq, në këtë “event” do ta ngris zërin e ngjizur e do ta kundërshtojë qëndrimin e pushtetit, por ama jo në publik, por para nxënësve dhe prindërve, duke thënë se “do të vie koha kur revoltën time do ta paraqes edhe aty ku duhet”! Shaqir Fetai, tamam si një skuth e mediokër i pashoq mundohet që të shpreh “një brengë” para nxënësve dhe prindërve madje edhe t’u kërkoj falje se pse akoma nuk ia doli që ta akreditojë Medresenë!

Sa vlenë ky truk i abdallit? Çka do të thotë “kërkim falje” kur ti, me paaftësinë tënde, me misionin tënd nënshtrues, po ia mbyllë arsimimin superior një aradhe të tërë maturantësh! I vjel myslimanët, ua vjedh kafshatën e gojës dhe, në fund, si dhelpra dinake që i hedh këlyshët e vet, ashtu i lë në udhëkryq maturantët e Medresesë “Isa Beu”! Snobizëm i paparë nga ana e Shaqir Fetait, u kërkon falje nxënësve për misionin e tij anti-medrese dhe anti-BFI, madje pa u skuqur për faktin se, për faj të tij, 150 maturantë të Medresesë ngelin pa u regjistruar në fakultete! Po pse nuk i ftoi që të gjithë, në shenjë rrebelimi kundër pushtetit aktual maqedonas, të regjistrohen në FSHI! Personi që e ka dert Meresenë, nuk do ta kishte dert simpatinë e pushtetit dhe të ndërkombëtarëve por, do të dorëhiqej në shenjë revolte, duke ua prishur të gjithë hesapet, të gjithëve!

Shaqir Fetai nuk na paska faj për këtë dështim! Fajin na e paskan ndërkombëtarët të cilët i paskan garantuar Shaqir Fetait se do t’i ndihmojnë në akreditimin e Medresesë, për të cilën gjë Shaqir Fetai na paska ndejtë aq urtë sa prej ndërkombëtarëve edhe paska marrur mirënjohje për “harmoni ndërfetare”!

Fajin edhe më të madh për mosakreditimin e Medresesë, na e paska, sipas Shaqir Fetait, Kisha Ortodokse Maqedonase! A është në vete abdalli, Shaqir Fetai, apo, kur e humb ky kontrollin ia futë kot e kot! Do me thënë se, KOM-i nuk dëshiron që ta akreditojë Shkollën e “Bogosllovisë”, ndaj dhe, për pasoj, nuk do të akreditohet as Medreseja!

Atëherë, pse rrenë Shaqir Fetai se shumë shpejt do ta akreditojë Medresenë! Pushteti do të pajtohet që për hirë të Shaqir Fetait, t’i ndryshojë të gjitha ligjet, ndoshta edhe të prekë në Kushtetutë që, t’ia mundësojë akreditimin e Medresesë! Dhe, më vonë vite më vonë, t’i teket edhe KOM-it për ta akredituar “Bogosllovinë” dhe, hajde, edhe një herë, t’i hymë ligjeve te Kushtetutës së Shtetit! Apo krejt kjo mund të tejkalohet me urdhër ministror, me vendim qeveritar, siç bëhej kjo, deshtën apo jo, në kohën e ish-reisul ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit!

Ndërhyrjet në norma juridike nuk bëhen vetëm për interes të një komuniteti por për interes të mbarë shoqërisë! Shaqir Fetai e ka të kotë presionin ndaj pushtetit politik pa u akorduar me Kishën Ortodokse Maqedonase! A e ka këtë pehlivanllëk Shaqir Fetai? Assesi, veçse në përpjekjet e tij eventuale mund të dalë i … – lagur!

Nuk sensbilizohet opinioni i vendit, as ndërkombëtarët dhe as institucionet shtetërore me fjalime e me retorikë boshe prej abdalli, para nxënësve dhe prindëve, nuk ka zgjidhje duke iu kërkuar falje atyreve se nuk po ia del ta kryej këtë obligim parësor, por, kjo bëhet me konferenca për shtyp prej vetë “reisit”, me afatizim të prioriteteve, me ftesë për protesta, me ndërprerje të çdo bashkëpunimi me institucionet shtetërore, me padëgjueshmëri qytetare, me rrezikim të kolltukut të grabitur, tërë kjo për të mirën e gjeneratave që po i merr më qafë Shaqir Fetai me “kërkim faljesh” prej lakeu! Nëse nuk di dhe nuk mundet, nëse ndjehet i paaftë dhe vetëm pak njerëzor, atëherë, le të tërhiqet se ka kush e bën këtë detyrë në afat rekord!

Nëse Medresja për Shaqir Fetain na qenka i vetmi objektiv islam, atëherë le të veprojë dhe, mos ta mbajë këtë vatër arsimore si mundësi për ta vjelur popullatën myslimane dhe për të vjedhur sa të duan Shaqir Fetai me myhybët e vet!

Akreditimi i Medresesë “Isa Beu” nënkupton jo vetëm pranim të diplomave të kësaj Shkolle të Mesme Profesionale, por edhe implikime financiare që duhet të mbulohen nga buxheti shtetëror! Që nga ky moment, do të duhej të heshtin të gjitha apelet që të jepen fitra e zeqate, kurbana e kontribute të tjera për Medresenë, në emër të së cilës bashkësia “fetare” e Shaqir Fetait po vjedh pa hesap.

Related Articles

Back to top button
Close
Close