LajmeMaqedoniTopLajm

Ali Ahmeti dënon deklaratën e ministres serbe: Retorika për spastrim etnik është e papranueshme dhe çnjerëzore

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së një ministreje të Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, shkruan Top24

Përmes një reagimi publik, Ahmeti e cilësoi deklaratën si tronditëse, çnjerëzore dhe të papranueshme, duke theksuar se një qëndrim i tillë përbën jo vetëm fyerje për viktimat e luftës në Kosovë, por edhe pasqyrim të një mentaliteti të frymëzuar nga politika kriminale e Sllobodan Millosheviqit.

Sipas tij, të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, pas masakrave, vrasjeve të civilëve, varrezave masive dhe krimeve të dokumentuara në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme, që bie ndesh me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane.

Ahmeti theksoi se mohimi apo glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI dhe se deklarata të tilla duhet të dënohen pa asnjë hezitim.

Në reagimin e tij, kreu i BDI-së rikujtoi se historia tashmë ka dhënë verdiktin ndaj politikave të Millosheviqit, duke nënvizuar se pikërisht përballë këtij mentaliteti u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”, theksoi Ahmeti në fund të reagimit të tij.

Ali Ahmeti

Deklarata e ministres së Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij.
Të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane. Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI.
Por historia e ka dhënë përgjigjen e saj. Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close