LajmeMaqedoniTopLajm

30 ditë paraburgim për çiftin e dyshuar në brasjen e mjekut Aco Trpovski

Gjykata Penale e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit dhe e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për çiftin bashkëshortor të dyshuar për vrasjen e mjekut amë, Aco Trpovski, nga Poliklinika “Hekurana”, transmeton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, burri 65-vjeçar nga Shkupi dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje”, ndërsa bashkëshortja e tij 59-vjeçare ngarkohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Hetimet vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe përcaktimit të të gjitha rrethanave që lidhen me vrasjen e mjekut.

Sipas sqarimit të Prokurorisë, më 21.03.2024, në një parking në lagjen Autokomandë, i dyshuari 65-vjeçar me dashje ia mori jetën tani të ndjerit Aco Trpovski. Në këtë e ndihmoi e dyshuara 59-vjeçare, duke fshehur mjetet dhe gjurmët e veprës penale. Ajo ishte marrë vesh me viktimën që të takoheshin në vendin e caktuar. Pak pasi kishte hyrë në veturën e tij, mbërriti i dyshuari. Ai hapi derën e automjetit, e nxori viktimën jashtë dhe mes tyre nisi një debat verbal. Në një moment, i dyshuari nxori një thikë dhe i shkaktoi nëntë plagë me thikë në kraharor dhe trup, si pasojë e të cilave viktima ndërroi jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, bashkëshortët më pas e vendosën trupin në sediljen e përparme të veturës. I dyshuari e drejtoi automjetin deri te parkingu i Poliklinikës “Hekurana”, ku trupin e vendosi në ulësen e shoferit. E dyshuara pastroi gjurmët nga vetura, pas së cilës të dy u larguan nga vendi i ngjarjes.

Sipas njoftimeve, mjeku i vrarë u gjet nga djemtë e tij, të cilët kishin nisur ta kërkonin pasi nuk ishte kthyer në shtëpi nga puna.

Related Articles

Back to top button
Close
Close