
Një hap i ri strategjik në forcimin e sigurisë energjetike dhe lidhshmërisë rajonale.
Maqedonia ka siguruar një ftesë për t’iu bashkuar Korridorit Vertikal të Gazit – një nga
nismat më të rëndësishme evropiane për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe
forcimin e stabilitetit energjetik në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Lindore.Zgjerimi i
Korridorit drejt Ballkanit Perëndimor është rezultat i aktiviteteve intensive diplomatike që
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale ka zhvilluar gjatë periudhës së
fundit, të udhëhequra nga ministrja Sanja Bozhinovska.
Në kuadër të vizitës në Uashington, ministrja Bozhinovska zhvilloi takime me
përfaqësues të lartë të administratës amerikane, gjatë të cilave u theksua rëndësia e
zhvillimit të ndërlidhjes energjetike rajonale dhe diversifikimit të furnizimit me gaz
natyror. Këto aktivitete vazhduan edhe në Samitin për Energy Transition Summit në
Athinë, ku ministrja zhvilloi takime dypalëshe me ministrat e energjetikës nga rajoni. Pas
këtyre takimeve, u hap procesi për përfshirjen e Maqedonisë në zgjerimin e Korridorit
Vertikal të Gazit drejt Ballkanit Perëndimor.
Vendimi u konfirmua në takimin e operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit, i
mbajtur në Athinë, ku u dakordua anëtarësimi i NOMAGAS-it në këtë kornizë rajonale të
bashkëpunimit. Përveç vendeve që tashmë janë pjesë e kësaj nisme – Greqia, Bullgaria,
Rumania, Moldavia, Ukraina, Sllovakia dhe Hungaria – në procesin e anëtarësimit janë
edhe Maqedonia dhe Serbia.
Për Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, kjo paraqet një hap të
rëndësishëm në realizimin e objektivit strategjik – që Maqedonia të bëhet pjesë aktive e
rrjetit energjetik evropian, me furnizim të sigurt, të diversifikuar dhe konkurrues me gaz
natyror.
Anëtarësimi në Korridorin Vertikal të Gazit nuk nënkupton ndërtimin e një gazsjellësi të
vetëm të ri, por integrimin në një rrjet të koordinuar evropian të gazsjellësve kombëtarë,
interkonektorëve dhe terminaleve, përmes të cilëve gazi natyror do të mund të
transportohet në disa drejtime, nga jugu drejt veriut të Evropës.
Kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me projektet kapitale të infrastrukturës që po zbaton
Ministria – ndërtimin e interkonektorit me Greqinë, i cili pritet të vihet në funksion gjatë
vitit 2027, si dhe përgatitjet për interkonektorin me Serbinë. Me realizimin e këtyre
projekteve, Maqedonia për herë të parë do të ketë mundësi të sigurojë qasje në më
shumë burime të gazit natyror, përfshirë edhe gazin natyror të lëngshëm (LNG).
,, Me anëtarësimin në Korridorin Vertikal të Gazit, rritet ndjeshëm edhe vlera strategjike
e këtyre investimeve infrastrukturore. Në vend që të jenë vetëm projekte kombëtare,
interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë bëhen pjesë e një rrjeti më të gjerë evropian të
transportit, gjë që do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve, fleksibilitet më
të madh dhe një nivel më të lartë sigurie në furnizim. Me këtë, vendi bëhet gjithashtu një
pikë e rëndësishme tranziti për furnizimin me gaz në rajon dhe në Evropë”, theksoi
ministrja Bozhinovska.
Në një kohë kur Evropa po transformon me ritme të shpejta arkitekturën e saj
energjetike dhe po diversifikon rrugët e furnizimit, anëtarësimi në këtë nismë përbën një
pozicionim në kohën e duhur të Maqedonisë në hartën e re energjetike evropiane.
Një tregues shtesë për rëndësinë e Korridorit është edhe interesi i madh i kompanive
energjetike për kapacitetet e transportit. Kjo konfirmon se Korridori Vertikal i Gazit
tashmë po njihet si një nga rrugët kryesore të ardhshme për transportin e gazit natyror
në rajon.
Anëtarësimi formal në këtë nismë pritet të bëhet në shtator në Selanik, kur edhe
zyrtarisht do të nënshkruhet deklarata për aderimin në kuadrin e bashkëpunimit të
Korridorit Vertikal të Gazit.
Me këtë hap, Maqedonia jo vetëm që e forcon sigurinë e saj energjetike, por
pozicionohet edhe si pjesë e rëndësishme e infrastrukturës së re rajonale, e cila do të
kontribuojë për një furnizim më të sigurt, më konkurrues dhe më rezistent me gaz
natyror për të gjithë rajonin.







