
“E papërgjegjshme dhe provokuese” – kështu e komentojnë disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë deklaratën e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila foli për “spastrimin etnik” në Kosovë.
Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Për shkak të kësaj deklarate, e cila nxiti reagime dhe dënime të shumta, Kosova, më 14 korrik, e shpalli person të padëshiruar, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër territorin e vendit.
Bilanci i luftës në Kosovë dhe vendimet e Tribunalit të Hagës
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur.
Udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme, bashkë me ata të institucioneve të sigurisë, u identifikuan nga Tribunali i Hagës si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në periudhën mars-qershor 1999.
Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, në cilësinë e komandantit të Armatës së Tretë, u dënua përfundimisht me 22 vjet burg nga Tribunali i Hagës për dëbim, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq gjatë paraburgimit në Hagë, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se deklarata e Snezhana Paunoviqit merr peshë edhe më të madhe, për shkak të pozitës së saj si ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë.
Sipas tij, është e qartë se njerëz si ajo “kanë mbetur të bllokuar në vitet ‘90 dhe në traumat” që, siç thotë, “shoqëria jonë ka përjetuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë”.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Milliqeviq thotë se deklarata e Paunoviqit “nxit urrejtje ndëretnike” dhe se është e rrezikshme, sepse i vendos serbët e Kosovës në një pozitë edhe më të vështirë.
“Kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndonjë armiqësi ndaj dikujt, dhe aq më pak në kontekstin e asaj që po përjetojnë sot serbët në Kosovë”, thotë ai.
Edhe Tatjana Llazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev, thotë se deklarata e Paunoviqit për “spastrimin etnik” është “një shembull tipik i papërgjegjshmërisë”.
Sipas saj, ajo ka pasoja në tri nivele: njerëzor, institucional-politik dhe historik.



