Vrasja e Arlinda Zekajt merr kthesë tjetër: Arrestohen katër persona në mesin e tyre vjehrra dhe kunati i saj

Hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë janë zgjeruar. Sipas portalit Sinjali, katër persona janë arrestuar për shtytje në vrasje dhe për ndihmë kryesit pas kryerjes së krimit.

Sinjali raporton se mes të arrestuarve janë edhe vjehrra e viktimës, N.S., dhe kunati i saj, D.S. Identiteti i dy të arrestuarve të tjerë nuk dihet.

Sipas të njëjtit burim, arrestimet kanë ndodhur rreth një muaj pas vrasjes. Hetuesit kanë bërë edhe bastisje dhe kanë sekuestruar prova me interes për hetimin. Tani hetimi nuk përqendrohet vetëm te personi që dyshohet se e ka kryer vrasjen, por edhe te personat që dyshohet se e kanë nxitur atë ose e kanë ndihmuar kryesin pas krimit.

Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë dalë me deklaratë zyrtare për këto arrestime.

Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra me sëpatë në mbrëmjen e 25 tetorit në fshatin Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, A.S. Disa orë para vrasjes ajo kishte denoncuar në polici ish-bashkëshortin për kanosje. Ditë më parë i kishte dërguar një letër Prokurorisë në Pejë, ku paralajmëronte se jeta e saj ishte në rrezik.