Mickoski: Shqipëria dhe Mali i Zi nuk janë para nesh, rruga e tyre drejt BE-së ngjan me një autobus që lëkundet

Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t’i zbatojë reformat, por nuk do të pranojë që çështjet dypalëshe të paraqiten si pengesë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, përcjell TV21. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski para samitit BE-Ballkani Perëndimor që mbahet sot në Bruksel, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ngecjen e procesit të integrimit evropian dhe mesazhet e fundit nga Brukseli.

vv

Mickoski nuk pajtohet me vlerësimin se Shqipëria dhe Mali i Zi po përparojnë më shpejt se Maqedonia e Veriut. Ai iu referua sërish deklaratës së tij të mëparshme për autobusin që lëkundet, me të cilën kishte përshkruar procesin e tyre të integrimit evropian.

“Nuk do të pajtohesha se po ecin përpara nesh. Mendoj se nuk është pikërisht kështu. Do t’i kthehem deklaratës sime për autobusin që lëkundet. Kështu duket për momentin rruga e tyre drejt BE-së, si e Malit të Zi, ashtu edhe e Shqipërisë. Ndërsa ne po realizojmë reforma dhe jemi vërtet liderë kur bëhet fjalë për Agjendën e Reformave”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri nuk deshi të komentojë drejtpërdrejt deklaratën e fundit të drejtorit të përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, i cili vlerësoi se bllokada e integrimit evropian të Maqedonisë është në Shkup dhe jo në Bashkimin Evropian.

Mickoski e quajti Koopmanin mik të Maqedonisë, duke theksuar se Qeveria e vlerëson lart kontributin e tij në zbatimin e Agjendës së Reformave. Ai paralajmëroi se gjatë ditës do të zhvillojnë një takim pune përmes videolidhjes, ku do të shqyrtohet sërish përmbushja e detyrimeve reformuese. Gjithashtu, pret të takohet me të edhe në Bruksel.

“Ne jemi të përqendruar në përparimin përmes realizimit të reformave, ndërsa çështjet dypalëshe janë, për fat të keq, një realitet i krijuar nga pushteti i mëparshëm. Por ne refuzojmë të diskutojmë për çështjet dypalëshe si pengesë në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE”, theksoi kryeministri.

Ai përsëriti gatishmërinë e Qeverisë për dialog me partnerët evropianë dhe me vendet me të cilat Maqedonia ka çështje të hapura dypalëshe, por vlerësoi se nga pala tjetër aktualisht nuk ka interes.

“Ne jemi të gatshëm që, së bashku me BE-në dhe me ata që kanë marrëdhënie të pazgjidhura dypalëshe me ne, nëse është e nevojshme, të ulemi në kuadër të këtij procesi, kudo, në çdo kohë dhe për çdo temë. Fatkeqësisht, siç po shohim, nga pala tjetër nuk ka interes. Ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrat që kemi brenda vendit”, përfundoi Mickoski.