Dogana konfiskon 1 milion cigare në Bogorodicë në vlerë prej 9 milion denarë!

Dogana në pikën kufitare të Bogorodicës ka parandaluar një tentativë kontrabande me një milion cigare pa pulla akcize, me vlerë prej rreth 9 milionë denarësh.

Cigaret janë zbuluar gjatë kontrollit të një kamioni me targa serbe, i cili në hyrje të Maqedonisë së Veriut ishte deklaruar për tranzit me ngarkesë prej granulatesh propileni.

Pas dyshimeve të ngritura, automjeti është përzgjedhur për kontroll të detajuar, ku zyrtarët doganorë kanë zbuluar 100 kuti kartoni me gjithsej 5.000 steka cigare të padeklaruara dhe pa pulla akcize.

Me këtë aksion është parandaluar shmangia e detyrimeve importuese në vlerë prej 13,7 milionë denarësh.

Shoferi i kamionit, shtetas serb, është arrestuar, ndërsa ndaj tij është ngritur kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale të kontrabandës.

Nga Dogana bëjnë të ditur se ky është rasti i dytë gjatë këtij viti në pikën kufitare të Bogorodicës, ku parandalohet kontrabandimi i sasive të mëdha të cigareve pa pulla akcize.

Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vazhdojnë të intensifikohen, si në pikat kufitare, ashtu edhe në tregun e brendshëm, me qëllim luftimin e tregtisë ilegale të produkteve të duhanit.