Një avion pasagjerësh i Wizz Air, që fluturonte në linjën nga Londra për në Sofje, u ridrejtuа drejt Budapeshtit pas një kërcënimi me bombë të marrë gjatë fluturimit. Një avion luftarak hungarez “Gripen” e shoqëroi avionin deri në uljen e sigurt në Hungari.
Ministri hungarez i Mbrojtjes, Romulusz Ruszin-Szendi, konfirmoi se pas marrjes së kërcënimit u aktivizua procedura e urgjencës për mbrojtjen ajrore të NATO-s. U dha urdhër për ngritje të menjëhershme, pas së cilës “Gripeni” hungarez u ngrit në ajër brenda pak minutash dhe shoqëroi avionin e pasagjerëve deri në aeroportin ndërkombëtar “Liszt Ferenc” në Budapesht.
Nga Wizz Air konfirmuan se fluturimi nga aeroporti Luton i Londrës drejt Sofjes u ridrejtuа për shkak të kërcënimit me bombë. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe më pas u zhvendos në një vend të veçantë, ku shërbimet kompetente kryen kontrollet e sigurisë të avionit dhe pasagjerëve.
Kompania komunikoi se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet kompetente dhe theksoi se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet prioriteti i tyre më i lartë.


