Slaveski: Limiti për tërheqjen e parave nga Alta Banka është 10.000 denarë në javë, qytetarëve u kërkohet durim

Kufizimi për tërheqjen e parave të gatshme nga Alta Banka në Manastir është 10.000 denarë në javë. Kjo shumë është më se e mjaftueshme në kushtet e situatës së jashtëzakonshme me të cilën po përballet banka, deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski.

Në intervistën e mbrëmshme në emisionin „Top Tema“ në televizionin Telma, Slaveski sqaroi se kufizimi prej 10.000 denarësh vlen për çdo javë. Ai theksoi se gjatë muajit nëntor qytetarët do të kenë pesë mundësi për të tërhequr nga 10.000 denarë, që në total përbëjnë 50.000 denarë.

Ai shtoi se edhe qytetarët që më herët kanë tërhequr 30.000 denarë, gjatë nëntorit do të kenë mundësi të tërheqin nga 10.000 denarë në secilën prej pesë javëve.

„Kjo është më se e mjaftueshme, pasi ndodhemi në një situatë të jashtëzakonshme, e cila kërkon durim derisa banka ta tejkalojë këtë gjendje“, deklaroi Slaveski.

Guvernatori u bëri thirrje qytetarëve të kenë besim te institucionet, duke theksuar se kursimet e tyre janë të sigurta në llogaritë bankare dhe se askush nuk mund t’ua marrë ato.

„Kufizimi i mundësisë për të disponuar me paratë është vetëm i përkohshëm dhe do të zgjasë aq sa është e nevojshme për tejkalimin e kësaj situate“, theksoi Slaveski.