Programi ruan statusin e lëndës zgjedhore dhe në masë të madhe strukturën tematike të mëparshme, por ndryshimi më i dukshëm është heqja e terminologjisë që lidhet me gjininë – “gjini”, “barazi gjinore”, “role gjinore”, “stereotipe gjinore”…. ISGJ e cilëson të papranueshme, pasi programi u kërkon nxënësve të bëjnë pikërisht dallimin analitik që përdoret në shkencë, në të drejtën dhe në standardet ndërkombëtare, por refuzon t’ia japë emrin
– Instituti i Studimeve Gjinore pranë Fakultetit Filozofik në Shkup ka reaguar ashpër ndaj programit të ri mësimor “Shëndeti dhe mbrojtja e shëndetit”, duke vlerësuar se heqja e konceptit “gjini” dhe e të gjithë terminologjisë që lidhet me të përbën një mangësi serioze konceptuale dhe profesionale. Në reagimin drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Instituti vë në dukje një kundërthënie në përmbajtjen e programit: nxënësve u kërkohet të mësojnë për stereotipat, paragjykimet, diskriminimin, marrëdhëniet e shëndetshme dhe dhunën seksuale, ndërsa njëkohësisht hiqen konceptet themelore që ndihmojnë në shpjegimin dhe kuptimin e këtyre dukurive. Instituti e përshëndet përfshirjen e temave për barazinë, shëndetin riprodhues, marrëdhëniet e sigurta, pëlqimin dhe dhunën seksuale, por konsideron të papranueshme mungesën e termave “gjini”, “barazi gjinore”, “role gjinore”, “stereotipa gjinore” dhe “dhunë me bazë gjinore”.
Sipas Institutit, programi u kërkon nxënësve të bëjnë pikërisht atë dallim analitik që përdoret në shkencë, në të drejtën dhe në standardet ndërkombëtare, por refuzon t’ia japë emrin. Kjo mund të krijojë paqartësi në procesin mësimor dhe të shkëpusë temat e trajtuara nga konceptet shkencore dhe juridike që i shpjegojnë ato.
Reagimi vjen pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, më 9 shtator, për të tërhequr programin për lëndën zgjedhore „Edukimi gjithëpërfshirës seksual“ në shkollat e mesme. Ministrja Vesna Janevska kishte deklaruar se vendimi ishte marrë pas reagimeve në opinion dhe se programi do t’i nënshtrohej një rishikimi të detajuar në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit.
Pas rishikimit u hartua programi i ri „Shëndeti dhe mbrojtja e shëndetit“, për nxënësit nga viti i parë deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm gjimnazist. Sipas Institutit, programi ruan statusin e lëndës zgjedhore dhe në masë të madhe strukturën tematike të mëparshme, por ndryshimi më i dukshëm është heqja e terminologjisë që lidhet me gjininë.
Instituti tërheq vëmendjen se kjo terminologji përdoret në dokumente të rëndësishme ndërkombëtare dhe në legjislacionin vendor, përfshirë Konventën e Stambollit, Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, si dhe ligjet për mundësi të barabarta, mbrojtjen nga diskriminimi dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Për këtë arsye, Instituti kërkon që Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit të rikthejnë pesë konceptet e përjashtuara, të shoqëruara me përkufizime të qarta dhe profesionale. Gjithashtu, kërkohet hapja e një procesi konsultativ me komunitetin akademik dhe institucionet profesionale, ku Instituti do të merrte pjesë me ekspertët e tij. Ai ofron mbështetje profesionale edhe në hartimin e përkufizimeve, manualit për mësimdhënësit, trajnimeve dhe vlerësimit të vitit të parë të zbatimit të programit. Instituti sqaron se nuk është kundër programit të ri, por kërkon që ai të mos trajtojë tema komplekse pa terminologjinë dhe bazën profesionale që nevojiten për t’i kuptuar ato.


