Pas përplasjeve me policinë përpara Kryeministrisë, protestuesit janë larguar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe janë zhvendosur drejt Piramidës, në krah të godinës së qeverisë. Ata kanë thyer xhamat e bizneseve në katin e parë dhe u kanë vënë flakën, ndërsa janë djegur edhe tabelat reklamuese.
Protesta studentore në Tiranë ka marrë një tjetër drejtim, pasi disa nga demonstruesit janë larguar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku për disa minuta u përplasën me forcat e policisë, dhe janë zhvendosur drejt Piramidës, e cila ndodhet në krah të Kryeministrisë.
Pas mbërritjes te Piramida, një grup protestuesish ka nisur të godasë bizneset që ndodhen në katin e parë të godinës, duke thyer xhamat dhe duke u vënë flakën ambienteve të tyre.
Zjarri ka përfshirë edhe tabelat reklamuese, ndërsa objekte të ndryshme përreth janë dëmtuar dhe shkatërruar.

Zhvendosja drejt Piramidës ka ndodhur pas tensioneve të forta përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kishin vendosur në mes të bulevardit vazo lulesh, barriera metalike dhe objekte të tjera, për të penguar avancimin e automjeteve të policisë që përdorin ujë me presion.
Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u larguan nga pjesa përpara Kryeministrisë dhe kaluan drejt Piramidës.
Incidentet në këtë godinë i shtohen një serie sulmesh dhe dëmtimesh të regjistruara gjatë protestës së sotme. Më herët, demonstruesit thyen derën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, hynë në ambientet e brendshme dhe nxorën objekte, të cilave u vunë flakën.
Ndërkohë, tym dhe flakë u regjistruan edhe në katin e parë të Ministrisë së Financave, ndërsa disa institucione të tjera u goditën me gurë.
Sulmi ndaj bizneseve te Piramida shënon një tjetër përshkallëzim të situatës, këtë herë me dëmtime të drejtpërdrejta ndaj ambienteve tregtare.
Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për përmasat e dëmeve apo për persona të lënduar nga zjarret e ndezura te Piramida.


