Dënohet me vdekje studentja 23-vjeçare në Iran, shkak një postim në rrjetet sociale

Një postim në rrjetet sociale mund t’i kushtojë jetën një studenteje 23-vjeçare në Iran. Najmeh Amini është dënuar me vdekje nga drejtësia iraniane, pasi u shpall fajtore për fyerjen e Profetit Muhamed, një vepër që sipas legjislacionit të vendit ndëshkohet me dënimin kapital.

Vendimi ka shkaktuar reagime dhe shqetësim mes organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat denoncojnë përdorimin e dënimit me vdekje si mjet për të frenuar zërat kritikë ndaj autoriteteve iraniane.

E reja, e cila studion për kontabilitet, ndodhet aktualisht në burgun Vakilabad të qytetit Mashhad, në verilindje të vendit. Krahas dënimit kapital, ajo është përballur edhe me një tjetër proces gjyqësor, në përfundim të të cilit është dënuar me 12 vjet, gjashtë muaj dhe një ditë burg për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare dhe propagandën kundër regjimit.

Sipas një burimi pranë familjes, të cituar nga organizata Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRAI), vendimi për ekzekutimin e saj është marrë mbi bazën e akuzës “sab ol-nabi”, që në legjislacionin iranian nënkupton fyerjen e Profetit Muhamed.

Amini u arrestua gjatë protestave të mëdha kundër qeverisë në janar, kur autoritetet ndërhynë për të shtypur demonstratat. Sipas raportimeve ndërkombëtare, mijëra persona humbën jetën gjatë represionit, ndërsa agjencia Hrana raportoi se numri i të arrestuarve i kaloi 50 mijë.

Përballë rrezikut të ekzekutimit, studentja ka kërkuar ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Muajin e kaluar, përmes një regjistrimi audio të bërë publik nga burgu, ajo iu drejtua Organizatës së Kombeve të Bashkuara, avokatëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut.

“Unë nuk dua të paraqitem si heroinë. Dua vetëm një gjë: që zëri im të dëgjohet”, thuhet në mesazhin e saj.

“Jam një vajzë e re dhe e pafajshme, me shumë shpresa dhe ëndrra. Kam prindër që më presin. Një familje që qëndron zgjuar çdo natë nga frika se mos më humbet”, u shpreh ajo.

Rasti i Aminit vjen në një periudhë kur organizatat ndërkombëtare po ngrenë alarmin për shtimin e ekzekutimeve në Iran. Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO), me seli në Oslo, mbi 600 persona janë ekzekutuar që prej fillimit të vitit.

Drejtori i kësaj organizate, Mahmoud Amiri-Moghaddam, ka paralajmëruar se ndëshkimi me vdekje i një personi për një publikim në internet mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes.

Ai ka theksuar se mungesa e një reagimi të fortë ndërkombëtar mund t’u hapë rrugë vendimeve të ngjashme, duke zgjeruar përdorimin e dënimit kapital ndaj personave që shprehin mendime në mënyrë paqësore.

Çfarë ndodhi në gjykatë dhe pse u rrëzua mbrojtja e studentes?

Legjislacioni iranian e parashikon dënimin me vdekje për fyerjen e Profetit Muhamed, konkretisht në nenin 262 të Kodit Penal Islamik. Megjithatë, neni pasues përmban përjashtime për situatat kur deklaratat nuk janë bërë me qëllim fyerjeje.

Pikërisht mbi këtë dispozitë është mbështetur mbrojtja e 23-vjeçares. Sipas gazetës iraniane Khorasan, gjatë procesit gjyqësor Amini ka deklaruar se komentet në rrjetet sociale i kishte shkruar pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene në shoqërinë e miqve të saj.

Avokatët kërkuan që gjykata të merrte në konsideratë gjendjen e saj në momentin e publikimit, duke argumentuar se deklaratat nuk kishin qenë të qëllimshme.

Por gjyqtari nuk e pranoi këtë shpjegim. Sipas gazetës iraniane, ai e pyeti studenten përse, në të njëjtat rrethana, nuk kishte fyer figura apo vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Pavarësisht vendimit të dhënë, çështja nuk është mbyllur përfundimisht. Studentja ka ende mundësinë ta kundërshtojë dënimin me vdekje në Gjykatën Supreme të Iranit, e cila mund të shqyrtojë vendimin e marrë ndaj saj.