Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar pas përplasjeve të shënuara në ditën e dytë të protestës para Ministrisë së Arsimit. Në një postim në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë theksohet se e drejta për të protestuar nuk e legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private.
“Ambasada Britanike në Tiranë nënvizon rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Sikundër, ajo nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia. Ambasada Britanike u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë këto të drejta dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve”, thuhet në reagimin e saj në rrjete sociale.


