Polemika e krijuar rreth Kylian Mbappe-së dhe deklaratave të tij për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun duket se ka pasur pasoja konkrete për kampionatin spanjoll. Pavarësisht kërkim-faljes së sulmuesit të Real Madridit, televizioni shtetëror kinez ka vendosur të mos transmetojë dy ndeshjet e para të fundjavës në LaLiga.
Gjithçka nisi pas një bisede të Mbappe-së në podcastin “The Bridge”, ku futbollisti francez bëri një krahasim indirekt të Mao Ce Dunit me një diktator. Deklarata shkaktoi reagime të shumta në Kinë, ku komentet e tij u konsideruan fyese ndaj figurës historike dhe ndjeshmërisë kombëtare të vendit.
Pas kësaj situate, disa kompani kineze ndërprenë bashkëpunimet me sulmuesin francez, ndërsa televizioni shtetëror CCTV paralajmëroi se mund të pezullonte transmetimin e ndeshjeve të kampionatit spanjoll.
Edhe pse Mbappe kërkoi falje gjatë kësaj jave dhe autoritetet kineze deklaruan se i kishin marrë seriozisht shpjegimet e tij, vendimi për ndërprerjen e transmetimeve u zbatua.
CCTV nuk transmetoi fillimisht ndeshjen mes Villarrealit dhe Espanyolit të zhvilluar të premten në mbrëmje, në hapje të javës së 11-të të kampionatit. Po ashtu, televizioni kinez nuk shfaqi as përballjen mes Levantes dhe Atletico Madridit, të luajtur të shtunën pasdite.
Sipas LaLiga-s, deri në këtë moment televizioni kinez kishte transmetuar drejtpërdrejt të gjitha ndeshjet e kampionatit spanjoll. Kështu, deklaratat e Mbappe-së kanë shkaktuar një situatë të pazakontë, duke bërë që polemika të kalojë përtej futbollit dhe të ndikojë edhe në marrëdhëniet tregtare dhe televizive të kampionatit spanjoll me tregun kinez.


