Një meteorit i rrallë, i gjetur në Mali në vitin 2022, po u mundëson shkencëtarëve të hedhin një vështrim të ri mbi historinë më të hershme të Marsit. Analizat tregojnë se shkëmbi është më shumë se 4,1 miliardë vjeçar dhe ruan gjurmë të rëndësishme për formimin e kores së Planetit të Kuq dhe praninë e ujit në të kaluarën e tij.
Meteori, i njohur si Teghaza 001, peshon rreth 800 gramë dhe u zbulua në shkretëtirën e Saharasë. Hulumtimet e realizuara nga shkencëtarë të mbështetur nga NASA kanë konfirmuar origjinën e tij marsiane, duke e renditur atë mes mostrave më të vjetra të Marsit që kanë mbërritur ndonjëherë në Tokë.
Emri i tij lidhet me rrafshinën e kripës Teghaza në Mali, zonë ku u gjet. Ai i bashkohet grupit prej rreth 435 meteoritësh të identifikuar deri më tani si shkëmbinj me prejardhje nga Marsi.
Ajo që e bën Teghaza 001 veçanërisht të vlefshëm për shkencën është përbërja e tij minerale. Brenda tij janë identifikuar minerale të formuara nga procese magmatike dhe vullkanike, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e mënyrës se si u krijua korja e hershme marsiane gjatë ftohjes së magmës.
Por historia e këtij shkëmbi nuk përfundon me formimin e tij. Analizat tregojnë se ai është ndryshuar më vonë edhe nga veprimi i ujërave nëntokësore. Pikërisht kjo e bën meteoritin një dëshmi të rëndësishme për studimin e pranisë dhe lëvizjes së ujit në Marsin e lashtë.
Shkencëtarja Yang Liu nga Laboratori i Shtytjes Reaktive (JPL) në Kaliforninë Jugore ka theksuar se veçantia e meteoritit u bë e qartë vetëm pas analizave të hollësishme.
Teghaza 001 renditet mes tre meteoritëve më të lashtë marsianë të zbuluar në Tokë. Në këtë grup bën pjesë edhe ALH84001, me një moshë të përafërt, ndërsa meteori i njohur si “Black Beauty” është formuar rreth 2,1 miliardë vjet më parë.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është ngjashmëria e përbërjes së Teghaza 001 me materialet e identifikuara nga sonda Mars Reconnaissance Orbiter në zonat e lashta dhe të mbushura me kratere të hemisferës jugore të Marsit.
Shkencëtarët ende nuk mund të përcaktojnë pikën e saktë nga e cila shkëmbi është shkëputur përpara se të përfundonte në Tokë. Megjithatë, përmes krahasimeve minerale dhe kimike, janë evidentuar disa rajone të mundshme të origjinës së tij.
Rëndësia e zbulimit qëndron pikërisht në faktin se Teghaza 001 mund të përfaqësojë një pjesë të kores marsiane që deri më tani nuk ka qenë e pranishme në koleksionin e mostrave të studiuara në Tokë.
Përmes këtij meteori të vogël, shkencëtarët po marrin kështu informacione nga një periudhë që daton më shumë se katër miliardë vjet më parë, duke plotësuar pjesë të rëndësishme të historisë së Marsit dhe të rolit që uji mund të ketë luajtur në zhvillimin e hershëm të planetit.


