Një çift nga Kosova, që ka jetuar për 28 vjet në Zvicër, nuk do të mund t’i vazhdojë lejet e qëndrimit. Gjykata Federale zvicerane ka refuzuar ankesën e tyre kundër vendimit të autoriteteve të migracionit të Cyrihut, kryesisht për shkak të varësisë afatgjatë nga ndihmat sociale.
Sipas aktgjykimit të 21 gushtit 2026, të publikuar më 7 tetor, bashkëshortët kishin përfituar gjithsej 341.908,50 franga zvicerane ndihma sociale vetëm gjatë periudhës nga viti 2015 deri në shtator 2024.
Çifti kishte mbërritur në Zvicër në vitin 1998, së bashku me dy fëmijët, dhe kishte kërkuar azil. Edhe pse kërkesa ishte refuzuar në vitin 1999, familja kishte përfituar pranim të përkohshëm në vitin 2001. Në vitin 2013, bashkëshortëve u ishin dhënë leje qëndrimi për arsye humanitare.
Gjykata konstatoi se çifti kishte qenë i varur nga ndihmat sociale për rreth 24 nga 28 vjetët e qëndrimit në Zvicër. Burri kishte punuar vetëm rreth tre vjet, ndërsa bashkëshortja kishte bërë një përpjekje pesëditore për të punuar si pastruese.
Edhe pse dy fëmijët e tyre kanë fituar shtetësinë zvicerane dhe familja ka lidhje të shumta në vend, gjykata vlerësoi se kjo nuk garanton automatikisht të drejtën e qëndrimit, pasi nuk ishte dëshmuar një marrëdhënie e veçantë varësie me fëmijët e rritur.
Sa i përket kthimit në Kosovë, gjykata vlerësoi se ai është i mundshëm, duke marrë parasysh njohjen e gjuhës shqipe, lidhjet familjare në vendlindje dhe mundësinë e sigurimit të trajtimit mjekësor.
Në vendimin përfundimtar, Gjykata Federale arriti në përfundimin se interesi publik për përfundimin e qëndrimit mbizotëron mbi interesin personal të çiftit për të vazhduar jetesën në Zvicër. Bashkëshortët janë obliguar gjithashtu të paguajnë 1.000 franga shpenzime gjyqësore.


