Elvana Gjata reagon për protestat e dhunshme në Shqipëri: Mos e shkatërroni këtë vend

Këngëtarja shqiptare Elvana Gjata ka reaguar për protestat dhe përplasjet e dhunshme në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për situatën e krijuar dhe duke bërë thirrje për dialog, dëgjimin e të rinjve dhe ndaljen e dhunës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjata shprehu dhimbjen për atë që po ndodh në vend, duke theksuar se është e papranueshme që shqiptarët të ushtrojnë dhunë ndaj njëri-tjetrit.

“Më dëshpëron të shoh vendin tim të digjet. Sërish! Më dhemb në shpirt kur shoh një të ri që dhunohet, një polic që dhunohet, një shqiptar që ngre dorën kundër një shqiptari tjetër”, shkroi ajo.

Këngëtarja ngriti shqetësimin për mungesën e dialogut dhe pyeti nëse është e pamundur që pakënaqësitë të shprehen pa dhunë. Ajo u bëri thirrje politikës dhe qeverisë që ta dëgjojnë zërin e të rinjve dhe t’u japin hapësirë për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyrë paqësore.

Gjata kërkoi gjithashtu që përfaqësuesit politikë t’i dëgjojnë të rinjtë pa paragjykime dhe kushte, duke theksuar rëndësinë e një dialogu të sinqertë.

“Mos e shkatërroni këtë vend! Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, apeloi këngëtarja.

Në fund të reagimit, ajo mbështeti të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por kundërshtoi shkatërrimin e pronës dhe dhunën.

“PROTESTO! ULËRIT! FRYMËZO! BASHKOHU NË PROTESTË QYTETARE! Por. MOS SHKATËRRO! MOS DIGJ! MOS DHUNO!”, shkroi Gjata, duke shtuar se të rinjtë meritojnë një të ardhme më të mirë.