Më 28 dhe 29 tetor 2026, studentë të Universitetit të Tetovës nga Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti Juridik, të shoqëruar nga Prof. Dr. Afet Mamuti, morën pjesë në platformën rinore “Thu’JE – Platforma për Demokraci dhe Paqe”, e cila u zhvillua në qytetin e Elbasanit, në organizim të PVN Albania dhe Bashkisë së Elbasanit.
Kjo ngjarje bashkoi të rinj, përfaqësues të institucioneve, studiues, akademikë dhe aktivistë nga vende të ndryshme të rajonit, duke shërbyer si një hapësirë ndërveprimi dhe dialogu ndërmjet brezave dhe aktorëve të ndryshëm shoqërorë. Përmes diskutimeve, prezantimeve dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me demokracinë, paqen, përfshirjen shoqërore, sfidat e zhvillimit dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e së ardhmes së rajonit.
Një ndër kontributet e kësaj veprimtarie ishte edhe prezantimi i studentëve të Universitetit të Tetovës, të cilët sollën në vëmendje çështjen e barazisë dhe përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, përmes projektit me temë: “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në punësim nuk është bamirësi, por e drejtë”. Përmes kësaj teme, studentët theksuan rëndësinë e garantimit të mundësive të barabarta, eliminimit të barrierave dhe krijimit të një mjedisi pune gjithëpërfshirës, ku punësimi trajtohet si e drejtë themelore dhe jo si akt bamirësie.
Në kuadër të programit, Prof. Dr. Afet Mamuti kontribuoi gjithashtu si panelist në diskutimin me temë “Why Do We Leave? The Future We Leave Behind – Brain Drain and the Western Balkans”, kushtuar emigrimit të të rinjve dhe profesionistëve, sfidave që lidhen me largimin e kapitalit njerëzor dhe pasojave të këtij fenomeni për perspektivën zhvillimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimi vuri në fokus nevojën për krijimin e kushteve që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre në vendet e origjinës, përmes mundësive më të mira për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional.
Universiteti i Tetovës vijon të mbështesë angazhimin aktiv të studentëve në platforma akademike, rinore dhe ndërkombëtare, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre në nisma të tilla si një dimension të rëndësishëm të formimit universitar. Përmes këtyre përvojave, universiteti synon të nxisë mendimin kritik, ndërgjegjësimin qytetar dhe përgjegjësinë shoqërore të studentëve, si dhe të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe rajonal.



