Nën organizimin e Ministrisë së Shëndetësisë, sot, në Sallën Ceremoniale të Qeverisë, u prezantua Strategjia për Shëndetësinë Digjitale 2026–2030 para mjekëve, organizatave të pacientëve, dhomave profesionale, institucioneve dhe ekspertëve të IT-së. Në qendër të strategjisë është pacienti. Qëllimi është që deri në vitin 2030 çdo qytetar të ketë qasje në të dhënat e tij shëndetësore, ndërsa çdo mjek të ketë informacionin e plotë në momentin kur trajton pacientin.
-Sot, pacienti e bart historikun e tij nga një sportel në tjetrin. Raporti nga laboratori privat, incizimi i kryer në një spital tjetër dhe terapia e përshkruar jashtë zinxhirit të referimit shpesh nuk janë në dispozicion të mjekut në momentin kur ai merr vendim. Analiza mbi të cilën bazohet strategjia e përshkruan sistemin si „funksionalisht operativ, por strukturorisht të fragmentuar”. „Termini Im”, Fondi dhe regjistrat e Institutit të Shëndetit Publik funksionojnë, por nuk shkëmbejnë të dhëna ndërmjet tyre, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Çfarë do të nënkuptojë kjo për pacientët dhe cilat janë përfitimet?
Të dhënat e ndjekin pacientin. Të dhënat do ta ndjekin pacientin nga mjeku amë te specialisti, spitali, laboratori dhe farmacia. Pacienti nuk do të ketë nevojë ta tregojë historinë e tij shëndetësore nga fillimi, ndërsa të njëjtat analiza nuk do të kryhen dy herë.
Dosja juaj shëndetësore në internet. Përmes portalit të përmirësuar „Shëndeti Im”, qytetarët do të kenë qasje në dosjen e tyre shëndetësore, përveç termineve dhe recetave elektronike që janë të disponueshme edhe sot. Më pas do të mundësohen edhe konsultimet në distancë.
Pacienti vendos për të dhënat e tij. Të dhënat shëndetësore konsiderohen pjesë e personalitetit. Çdo person do të mund të shohë se kush ka pasur qasje në të dhënat e tij, të kërkojë korrigjimin e një gabimi, të autorizojë një përfaqësues dhe të japë ose të tërheqë pëlqimin. Këto të drejta do të rregullohen me ligj.
Qasje e barabartë për të gjithë. Telemedicina do të marrë bazë ligjore, ndërsa pacientët me sëmundje kronike do të mund të monitorohen në distancë, veçanërisht në zonat rurale pa qasje të rregullt te specialistët. Shërbimet do të përshtaten për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa për të moshuarit dhe qytetarët që nuk përdorin shërbime digjitale do të mbeten të disponueshme edhe kanalet tradicionale.
Parandalim në kohë. Të dhënat në kohë për përfshirjen në programet e skriningut dhe për rreziqet do të mundësojnë zbulimin më të hershëm të sëmundjeve, ndërsa masat parandaluese do të orientohen aty ku janë më të nevojshme.
„Standardet dhe sistemet i krijojmë ne. Dallimin e ndien pacienti — ose nuk e ndien. Ky është kriteri”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. „Ky nuk është projekt për kompjuterë të rinj. Ne duam që sistemet që tashmë i kemi të fillojnë të funksionojnë së bashku, për pacientin dhe për mjekun.”
Strategjia përmban 5 prioritete, 38 masa dhe 152 aktivitete. Gjatë viteve 2026–2027 vendosen bazat: ligjet, institucionet dhe standardet. Implementimi kryesor, përfshirë portalin „Shëndeti Im”, është paraparë për vitet 2028–2029. Strategjia është harmonizuar me Hapësirën Evropiane të të Dhënave Shëndetësore, gjë që do t’u mundësojë qytetarëve, pas anëtarësimit në BE, që të dhënat e tyre të jenë të disponueshme edhe kur marrin trajtim mjekësor në një shtet tjetër anëtar.
Strategjia është hartuar në kuadër të projektit „Avancimi i sistemit të e-shëndetësisë”, të financuar nga Bashkimi Evropian përmes IPA III. Projekti zbatohet nga kompanitë konsulente Gnomon dhe ASEE. Komentet nga konsultimi i sotëm do të përfshihen në versionin e rishikuar, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë për miratim.



