Numri i shitjeve të banesave në Tetovë ka shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa një nga arsyet kryesore, sipas agjencive të shitblerjes së patundshmërive, është rritja e vazhdueshme e çmimeve për metër katror.
Sipas informacioneve që ka siguruar portali TetovaSot, pavarësisht numrit të madh të ndërtimeve të reja, kërkesa për blerje është ulur ndjeshëm.
“Ndërtime ka shumë, ndërsa çmimi rritet. Kjo ka bërë që shitja të jetë shumë e ulët në krahasim me vitet e tjera. Tetova nuk ka kapacitet për të përballuar aq shumë blerje sa ndërtohet. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, në Tetovë janë ndërtuar mbi 4.000 banesa, që është një shifër shumë e lartë”, thonë nga agjencitë e shitblerjes.
Sipas tyre, edhe pse ndërtimet janë shtuar ndjeshëm, çmimet vazhdojnë të rriten. Çmimi më i lartë i raportuar deri tani, sipas agjencive, ka arritur në 1.700 euro për metër katror, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e interesimit të blerësve.
“Është fakt se rënia e madhe e shitjeve lidhet me çmimet. Çmimi më i lartë ka arritur në 1.700 euro për metër katror, një shifër tepër e lartë për kushtet dhe standardin që ofrohet në Tetovë”, shprehen nga agjencitë.
Sipas tyre, çmimi i banesave në Tetovë nuk duhet të kalojë 1.000 deri në 1.100 euro për metër katror, duke marrë parasysh kushtet që ofrohen në ndërtesat e reja.
“Tetova nuk ofron kushte për këto çmime. Ndërtimet bëhen pa standardet e nevojshme. Shumë ndërtesa nuk kanë as 10 për qind hapësirë të gjelbër, ndërsa standardet kërkojnë një përqindje shumë më të lartë. Ndërtuesit mundohen të shfrytëzojnë 100 për qind të tokës ndërtimore për ndërtim, duke lënë anash nevojat elementare të banorëve për gjelbërim dhe hapësira për fëmijë”, thonë nga agjencitë.
Ata theksojnë gjithashtu problemin e mungesës së parkingjeve.
“Ka ndërtesa që shiten edhe pa parkingje, madje edhe ndërtime të vitit 2026. Nuk e kam idenë se si kalojnë këto projekte në Komunën e Tetovës nëse nuk ka së paku një parking për çdo banesë. Kjo është shqetësuese dhe e patolerueshme”, shprehen më tej.
Sipas agjentëve të patundshmërive, tregu mund të marrë një tjetër drejtim nëse çmimet përshtaten me standardin dhe kushtet që ofrohen.
“Blerja e banesave mund të rritet nëse çmimet do të sillen nga 1.000 deri në 1.100 euro për metër katror, veçanërisht në zonat qendrore. Rritja e çmimeve nga 1.400 deri në 1.700 euro do t’i detyrojë ndërtuesit të përballen me një rënie edhe më të madhe të shitjeve”, thotë në fund një agjent i shitjes së patundshmërive.
Ndryshe, edhe pse kërkesa për blerje është në rënie, ndërtimet në Tetovë vazhdojnë të shtohen. Agjencitë ngrenë shqetësime për mungesën e hapësirave të gjelbra, parkingjeve dhe standardeve të tjera urbane, ndërsa kërkojnë kontroll më të madh gjatë dhënies së lejeve të ndërtimit.


