Hapi i parë drejt reformimit përmbyllet: Ferati miraton planin për ristrukturimin e Ministrisë

Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive hyn në një fazë të re të funksionimit të saj. Ministri Agon Ferati nga sot ka filluar të realizoj sistematizimin e ri të vendeve të punës, duke i hapur kështu rrugën ristrukturimit, profesionalizimit dhe modernizimit të administratës së institucionit.
Ky hap shënon një nga ndryshimet më të rëndësishme në organizimin e brendshëm të këtij dikasteri, me synimin që struktura administrative të përshtatet me nevojat reale të institucionit dhe me sfidat që e presin atë në periudhën e ardhshme.
Në kuadër të sistematizimit të ri është krijuar Departamenti për Partneritete Strategjike dhe Fonde Ndërkombëtare, strukturë e cila pritet të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në shfrytëzimin e mundësive që ofrojnë fondet ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, Ministria do të kërkojë kuadro me përvojë dhe ekspertizë, të cilët do të mund të kontribuojnë në këtë proces dhe në ndërtimin e një administrate më profesionale dhe më efikase.
Me këtë ndryshim, ministri Agon Ferati po e kthen premtimin për reformim të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në një proces konkret institucional.
Që në ditët e para të marrjes së detyrës, Ferati kishte ngritur çështjen e strukturimit të administratës, duke vlerësuar se një pjesë e strukturave të brendshme kishin mbetur për vite të tëra pa ndryshime dhe pa iu përshtatur nevojave të reja.
Me këtë reformë, ministri Agon Ferati synon që institucionin ta bëjë më modern, më profesional, më funksional dhe më të përgatitur për sfidat që e presin, duke e orientuar administratën drejt standardeve bashkëkohore evropiane.
Në vend të strukturave të mbetura në modele të vjetra, Ministria tash synon të ndërtojë një administratë që i përgjigjet kohës, kërkesave të qytetarëve dhe objektivave të reja institucionale.