Në një kohë që protestat antiqeveritare kanë hyrë në ditën e 11-të, kryeministri Rama vijon të flasë për organizatorë imagjinarë, duke akuzuar mijëra protestues që kërkojnë largimin e tij se po influencohen nga ndikime të huaja. Ai shenjëstroi sërish Iranin se ka gisht në protestë, pas reagimit të një zëdhënësi të qeverisë së Teheranit, i cili hodhi poshtë pretendimet e Edi Ramës dhe i kujtoi atij kërkesat e shqiptarëve për dorëheqje.
Teksa qytetarët shqiptarë protestojnë prej 10 ditësh për largimin e tij, kreu i qeverisë, Edi Rama, vijon të gjejë organizatorë imagjinarë, duke akuzuar protestuesit se po influencohen nga ndikime të huaja. Në shënjestër vuri sërish qeverinë e Iranit, me pretendimin se i është bashkuar protestës, teksa nuk i kurseu akuzat ndaj mijëra shqiptarëve që kanë mbushur sheshin në protestat antiqeveritare, të cilat hyjnë këtë të mërkurë në ditën e 11-të.
Ja edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip, njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë! Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshjet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, te grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare, bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysmë të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratës së një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme iraniane, i cili hedh poshtë akuzat për ndërhyrje dhe përfshirje në protestën e shqiptarëve, dhe i kujton Ramës kërkesat e qytetarëve për dorëheqjen e tij.



