
Pas dy viteve e gjysmë të suksesshme në krye të Bayer Leverkusen, Xabi Alonso ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i skuadrës gjermane.
“Ka ardhur koha të konfirmoj se këto do të jenë ndeshjet e mia të fundit te Bayer,” tha Alonso, përpara se të shprehte mirënjohjen e tij: “I detyrohem një falënderim të përzemërt klubit, lojtarëve, stafit dhe gjithë punonjësve. Së fundmi, por aspak më pak e rëndësishme, edhe tifozëve fantastikë të Bayer. Suksesi ynë ishte rezultat i një performance të jashtëzakonshme të ekipit.”
Megjithatë, spekulimet janë të shumta dhe drejtimi duket i qartë: Real Madridi. Mediat spanjolle janë të bindura se Alonso do të jetë pasardhësi i Carlo Ancelottit në stolin e “Los Blancos”. I njohur mirë në ambientin madrilen, Alonso ka drejtuar më parë ekipet e të rinjve të klubit në sezonin 2018/19 dhe është një figurë e respektuar në “Santiago Bernabéu”.
Sipas burimeve pranë klubit, presidenti Florentino Perez ka dhënë “OK”-in për emërimin e tij, me shpresën për të nisur një epokë të re me një trajner të ri, por me rrënjë të thella në historinë e klubit. I vetmi dyshim mbetet data e njoftimit zyrtar – disa burime përmendin 25 majin, në përfundim të kampionatit, ndërsa të tjera sugjerojnë një surprizë të mundshme pas El Clasicos së së dielës kundër Barcelonës.



