
Autoritetet e qytetit të zyrihut kanë miratuar një kornizë për zbatimin e një projekti pilot që parashikon shkurtimin e javës së punës nga 42 në 35 orë, pa reduktim të pagave. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se cilat departamente të administratës do të përfshihen në këtë projekt.
Nisma për një javë pune 35-orëshe u paraqit nga partitë e krahut të majtë në parlamentin e qytetit më 15 mars 2023. Propozimi mori mbështetjen e 60 deputetëve, ndërsa 57 votuan kundër, raportoi Swissinfo.
Sipas direktivës së miratuar, projekti pilot do të zgjasë një vit, me mundësi që të shtyhet edhe për një vit tjetër. Ai parashikon përfshirjen edhe të punonjësve me turne, mes tyre oficerë policie, punonjës të transportit publik dhe kujdestarë.
Një nga kushtet kryesore të projektit është ruajtja e pagave aktuale, pavarësisht reduktimit të orëve të punës.
Nëse një javë pune 35-orëshe do të zbatohej në të gjithë administratën e qytetit pa ulje pagash, kostoja vjetore mund të arrinte rreth 118 milionë euro. Për të garantuar funksionimin e shërbimeve do të nevojitej gjithashtu rekrutimi i deri në 1,500 punonjësve të rinj.
Në nivelin kantonal, një propozim për të studiuar mundësinë e një jave pune 35-orëshe nuk gjeti mbështetje. Parlamenti kantonal i Zyrihut e rrëzoi nismën në shtator 2024, me 111 vota kundër dhe 57 pro.
Debati rreth shkurtimit të orarit të punës mbetet i ndarë. Kundërshtarët paralajmërojnë se një javë më e shkurtër mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore dhe të rrisë kostot e pagave. Në anën tjetër, mbështetësit argumentojnë se reduktimi i orarit mund të sjellë përfitime për shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve, duke iu referuar edhe eksperimenteve të ngjashme në vende dhe kompani të ndryshme.



