
Ekranet me numërimin mbrapsht deri më 16 shtator, të vendosura në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, do të shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë aktivitetit “Ora e Pritjes”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë.
Hamza tha se ekrani i vendosur në kryeqytet simbolizon pritjen deri më 16 shtator, ndërsa paralajmëroi se të tillë do të vendosen në gjithë Kosovën.
“Koha po ecën, pritja tash është shkurtuar, por kujtesa jonë nuk shkurtohet. Sa më afër të jetë dita, aq më fuqishëm duhet ta themi atë që duhet ta themi”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, vendosja e ekraneve synon të përcjellë mesazhin se Kosova nuk i harron ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit. “Këto ekrane janë një mesazh se Kosova nuk harron, nuk harron kush luftoi, nuk harron kush sakrifikoi, nuk harron kush negocioi në Rambuje, nuk harron kush e siguroi ndërhyrjen e NATO-s”, tha ai.
Hamza shtoi se ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë nuk janë vetëm, duke përmendur mbështetjen e familjeve, bashkëluftëtarëve, miqve dhe qytetarëve të Kosovës.



