BotaLajme

Zvicra refuzon vaksinën anticovid AstraZeneca

Zvicra ka vendosur që të refuzojë vaksinën  anticovid AstraZeneca.

Vaksina, e cila tashmë po administrohet në Mbretërinë e Bashkuar, u dha autorizim për përdorim në të gjithë vendet e BE-së të premten e javës së kaluar, por zyrtarët shëndetësorë në Francë, Gjermani, Itali, Suedi dhe Poloni janë të gjithë kundër përdorimit të saj për njerëzit e moshuar.

Zvicra, e cila nuk është anëtare e BE, është vendi i parë evropian që vendos kundër miratimit të saj.

“Për vaksinën nga AstraZeneca, të dhënat e disponueshme dhe të vlerësuara deri më sot nuk janë ende të mjaftueshme për miratim. Në mënyrë që të merren të dhëna shtesë mbi sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë, kërkohen të dhëna nga studime të reja“, tha Rregullatori Mjekësor në Zvicër.

Paneli këshillues i pavarur i trupit të ekspertëve arriti në të njëjtin përfundim në një takim të veçantë dje.

Miratimi dhe përdorimi i hershëm i vaksinës në Britani, ku u zhvillua nga universiteti i Oxfordit në partneritet me AstraZeneca  i ka dhënë Britanisë së Madhe një epërsi të hershme ndaj fqinjëve të saj evropianë në garën për të vaksinuar popullatën kundër koronavirusit.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se është plotësisht e sigurt për efektivitetin e vaksinës, përfshirë këtu edhe ata mbi moshën 65 vjeç.

Miratimi i vaksinës Oxford/AstraZeneca ishte pritur gjerësisht nga shumë qytetarë në Zvicër. Por Rregullatori Mjekësor në Zvicër tha se dëshironte të priste për rezultate nga dy prova të mëtejshme klinike në Amerikën e Veriut dhe Jugut, të cilat mund të vijnë në fund të shkurtit.

Pasi të jenë në dispozicion të dhënat, Rregullatori Mjekësor në Zvicër tha se do të vijë në një vendim përfundimtar shpejt.

AstraZeneca tha se do të vazhdojë të ndajë të dhëna të reja me Rregullatorin Mjekësor në Zvicër pasi ato të bëhen të disponueshme dhe të punojë me rregullatorin për të marrë aprovimin në Zvicër “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“AstraZeneca tani është pajisur me një autorizim të kushtëzuar të marketingut ose përdorim emergjent në afro 50 vende, që përfshijnë katër kontinente, përfshirë më së fundmi në Bashkimin Evropian. Ne kemi besim se vaksina jonë është efektive dhe mund të ketë një ndikim real në pandeminë”, tha kompania.

Zvicra ka aprovuar vaksinat BioNTech / Pfizer dhe Moderna për përdorim. Vendi shpenzon më shumë për qytetarët në kujdesin shëndetësor se çdo vend tjetër në Evropë .

Zvicra ka administruar 315,000 doza të vaksinave të koronavirusit deri më 31 janar. Sipas udhëzimit të saj të dhjetorit, qeveria zvicerane ka në plan të vaksinojë të paktën 6 milionë njerëz pothuajse tre të katërtat e popullsisë deri në verë. Vendi do të duhet të administrojnë të paktën 70,000 doza në ditë për të përmbushur objektivin.

Sondazhet tregojnë se shumë zviceranë mbeten skeptikë rreth vaksinave. Sipas një studimi të Universitetit të Cyrihut në fillim të janarit, vetëm 50% e zviceranëve thanë se ishin të gatshëm të bënin një vaksinë, me një në tre që deklaronin se nuk ishin të gatshëm ta bënin këtë fare.

Top Channel

Related Articles

Back to top button
Close
Close