
Zjarri vazhdon të jetë aktiv mbi Sellcën e komunës së Tetovës. Ka 5 ditë që flakët po djegin malin Sharr, ndërsa zjarri po i afrohet shtëpive të fshatit.
“Pesë ditë është duke u afruar. Kanë ardhur dje kanë hedhe ujë. Si me ndezë, jo ta shuajnë po ta ndezin. Ku të flesh rehat!? Ai na mbron nga vërshimet, atë mal ne dogjëm, s’ka shtet këtu, të gjithë vinë shohin edhe kthejnë s’kemi çka bëjmë. Dje kur erdhën helikopterët mua më vinte si me hedh benzinë jo ujë.”
Por komandanti i njësisë territoriale kundër zjarrit, thotë se ata mbrëmë kanë qenë deri ora 21 në vend ngjarje dhe se gjatë ditës së djeshme është intervenuar edhe me helikopter.
“Zjarri është në një largësi 2 kilometra nga fshati , për ne si zjarrfikësi është një terren i vështirë që të futemi është një teren malor siç shihet. Bëjmë përpjekjet tona që të jemi në krye të detyrës. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kemi kërkuar që të aktivizohen helikopterë dhe avion, që Maqedonia e Veriut i posedon. Deri tash kemi aktiv një helikopter dhe sot nga mëngjesi me kërkesën time, pasi që zjarri merr përmasa më të mëdha, pasi që kemi lënë djegëse që hedhet nga pjesa e sipërme dhe shpërndahet në pjesë tjera”, tha Avni Ahmeti – komandat i NJTKZ- Tetovë.
Edhe gjatë ditës së sotme po vazhdojnë përpjekjet për shuarje të zjarrit, por tani për tani zjarri ende është aktiv.



