
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë të premten pasdite zonën rezidenciale të Krokstadelva, në komunën Drammen të Norvegjisë, duke detyruar dhjetëra familje të largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre.
Flakët, të favorizuara nga erërat e forta dhe moti i thatë, u përhapën me shpejtësi nga një ndërtesë banimi drejt shtëpive përreth dhe më pas në një zonë pyjore.
Sipas autoriteteve, zjarri shpërtheu rreth orës 15:39 dhe brenda pak minutash përfshiu një numër të madh banesash. Vlerësimet paraprake tregojnë se 40 deri në 50 njësi banimi mund të jenë prekur nga flakët, ndërsa mbi 60 zjarrfikës janë angazhuar në operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit.
Banorët përjetuan momente dramatike. “I lamë pas telefonat, dokumentet dhe gjithçka tjetër. Na u desh të iknim vetëm për të shpëtuar jetën. Tani vetëm shpresojmë që shtëpia jonë të ketë mbetur në këmbë”, thanë dy banorë të evakuuar për mediat norvegjeze. Gjatë zjarrit janë dëgjuar edhe disa shpërthime, ndërsa zona është evakuuar plotësisht si masë sigurie.
Autoritetet vijojnë luftën me flakët dhe po hetojnë shkaqet e zjarrit. Deri tani nuk ka raportime për viktima, ndërsa dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme.




