
Prokuroria turke kërkoi burgim të përjetshëm dhe dënime shtesë deri në 37 vjet burg për 14 persona të akuzuar për sulmin e armatosur të prillit para Konsullatës së Izraelit në Stamboll.
Sipas aktakuzës së publikuar dje, të akuzuarit ngarkohen për veprat penale: tentativë vrasjeje, tentativë për rrëzim të rendit kushtetues, anëtarësi në një organizatë të armatosur terroriste dhe posedim të paligjshëm të armëve dhe municionit.
Prokuroria ka kërkuar për secilin prej të pandehurve dënim me burgim të përjetshëm, si dhe dënime shtesë nga 19 deri në 37 vjet burg.
Më 7 prill të këtij viti, tre sulmues të armatosur hapën zjarr ndaj pjesëtarëve të policisë të vendosur para objektit ku ndodhet Konsullata e Përgjithshme e Izraelit në Stamboll. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, njëri nga sulmuesit u vra, ndërsa dy të tjerët u plagosën dhe u arrestuan. Të plagosur mbetën edhe dy policë.
Autoritetet turke fillimisht njoftuan se sulmuesi i vrarë kishte lidhje me një grup që “keqpërdor fenë”, ndërsa mediat turke më vonë i lidhën autorët me organizatën terroriste “Shteti Islamik” (ISIS).
Pas sulmit, policia turke arrestoi rreth 200 persona të dyshuar për lidhje me “Shtetin Islamik”, si dhe dhjetëra persona të tjerë të përfshirë në hetimin e rastit.



