
Sonte në tubimin e AKI-së në Dollogozhdë, Ziadin Sela, falenderoi dhe përgëzoi ata që punojnë për një kauzë të përbashkët, duke theksuar bashkëpunimin si një element kyç për suksesin politik.
Ai kritikoi ashpër mungesën e mbështetjes nga Mendi Qyra dhe kandidatët i Vlen-it duke filluar nga Bilall Kasami për kandidatin shqiptarë në Kërçovë, Fatmir Deharin i cili po ballafaqohet në raundin e dytë me kandidatin e VMRO-DPMNE-së Aleksandar Jovanovski.
“O ju, u drejtohem juve, kundërshtarëve politikë, në planin e atij që del në konferenca për shtyp. Ai që del aty, ju jep mesazhin dhe ju thotë: “Kini kujdes.” Kini kujdes, sepse etnocentrizmi duhet të jetë vetëm i atij, nacionalizmi duhet të jetë vetëm i atij dhe ju u thotë: Duhet të heshtni. A dini të bëni dallimin, vëllezër dhe motra të dashur? Sot, e gjithë struktura dhe shtabi i Aleancës Kombëtare për Integrim është bashkuar në shtabin e VLEN-it në Bërvenicë. Kështu sillet ai që ka gjen dhe gjak shqiptari, bravo ju qoftë djema”, theksoi Ziadin Sela.
Sela nënvizoi gjithashtu mungesën e mbështetjes për kandidatin në Kërçovë, duke theksuar se deri tani nuk është dëgjuar asnjë zë përkrahjeje nga kandidatët e VLEN-it.
“Nga ana tjetër asnjë zë për Kërçovën Bilall Kasami e deri te të gjithë kandidatët e Vlen-it, nuk u dëgjua asnjë zë përkrahjeje, e smund t’ju them bravo ju qoftë, por do ju them turp ju qoftë”, theksoi Sela.
Fjalimi i tij ishte një apel për unitet dhe angazhim të sinqertë politik, si dhe për të mobilizuar votuesit për një fitore të fuqishme për Arsim Dalipin në Strugë.



