Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se që nga 1 janari, Rusia i ka lëshuar mbi 330 raketa të llojeve të ndryshme dhe shumë dronë, derisa i ka bërë thirrje Perëndimit që të ndihmohet hapësira ajrore ukrainase.
Ai ka thënë të martën në rrjetin social X se duhet të sigurohet kontrolli mbi qiellin ukrainas, duke shtuar se “mbrojtja ajrore dhe lufta elektronike janë prioritetet tona kryesore”.
“Rusia ka lëshuar mbi 33 raketa të llojeve të ndryshme dhe rreth 600 dronë luftarakë në qytetet e Ukrainës, qëkur nisi viti. Për t’i bërë ballë një presioni të tillë terrorist, kërkohet një mburojë mjaftë e fortë ajrore. Ky është një lloj i mburojës ajrore që po e ndërtojmë me partnerët tanë. Ne duhet të sigurojmë kontrollin e Ukrainës mbi qiejt e saj, gjë që është gjithashtu kritike për të garantuar sigurinë në terren – nga pozicionet e vijës së parë deri te spitalet e shkollat”, ka shkruar Zelensky.
Ai i ka vazhduar thirrjet drejtuar vendeve perëndimore që ta ndihmojnë Ukrainën në luftë me agresionin rus.
Zelensky të dielën (28 janar) ka deklaruar në një videomesazh se këtë javë do të ketë më tepër kontakte me vendet perëndimore për t’u furnizuar me armatim dhe pako ushtarake.