
Prej vitesh Nigel Farage, kreu i partisë Reformë UK, për retorikë politike sulmon shqiptarët, të cilët në mënyra të ndryshme mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
NCA, Agjencia Britanike Kundër Krimit të Organizuar, thotë se shtetasit polakë Konrad Dabrëski (25 vjeç) dhe Damian Ciuron (41 vjeç), të dy banues në Bradford, u arrestuan nga oficerët e Policisë së Essex-it në Holland-on-Sea, pranë Clacton, të mërkurën, më 1 korrik, nën dyshimin për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, pasi një mjet lundrues jaht u pa duke zbritur një numër personash në bregdet.
Christian Albano (45 vjeç), shtetas italian, u arrestua më pas në det nga oficerët e Komandës për Sigurinë Kufitare nën dyshimin për të njëjtën vepër penale.
Një burrë i katërt, gjithashtu i arrestuar nën dyshimin për vepra penale të lehtësimit të emigracionit të paligjshëm, një shtetas shqiptar 57-vjeçar, vazhdon të mbahet në paraburgim.
Gjashtë personat që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues janë ndaluar për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Një zëdhënës i NCA i tha Top Channel përmes postës elektronike se të gjashtë personat e kapur brenda në jaht janë shtetas shqiptarë.
Javën e shkuar Daily Mail online publikoi një artikull ku tregonte se si funksionon trendi më i ri i kalimit ilegal të shqiptarëve me jaht nga Belgjika dhe Holanda drejt brigjeve angleze, ku ankorohen në marinat private.
Pikënisja e shkrimit të Daily Mail online janë këto oferta për të hyrë në Angli me jaht të reklamuara në Tik Tok me një çmim prej 13.000 stërlinash për person.



