LajmeMaqedoniTopLajm

Zaev përgjigjet për “Monstrën” në Kuvend – nuk është kjo punë e jona, është e gjyqësorit!

Koordinatori i grupit parlamentar ASH-AAA, Skender Rexhepi – Zejdi në seancën e sotme për pyetje deputetësh ka parashtruar pyetje për rastin “Monstra”.

Ai tha, sikurse u akuzuan në fillim të akuzuarit, si “terrorist islamist”, me të njëjtën akuzë i dënoi për të dytën herë edhe “marioneta e radhës”.

“Nuk jemi fëmijë. E dimë shumë mirë, se kur flitet për një rast terrorist duhet të kesh organizator. Duhet të kesh kush ta merr përgjegjësinë. Duhet ta kesh motivin. Duhet t’i kesh edhe arritjet e tyre. Akuza për terrorizëm është e fuqishme, por kur ke dëshmi. Në momentin kur nuk ke dëshmi, bëhesh pjesë e talljes. Por, çfarë është më e keqja, se nuk u gjend asnjë armë me të cilën u ekzekutuan fëmijët. Imagjinoni, në burgjet apo në stacionet e Maqedonisë, ku dhuna është e pranishme në vazhdimësi, nuk kanë mundur t’ia nxjerrin me dhunë informacionin se ku janë armët? E kjo është tallje. Akuza për terrorizëm është arsye e dytë se kemi të bëjmë me rast të montuar. E treta është raporti i State Department”, deklaroi Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA.

Rexhepi kujtoi edhe deklaratën e kryeministrit aktual, kur ka qenë në opozitë, Zoran Zaev për median serbe ku duke folur për “Monstrën”, thotë se “njerëz të pafajshëm qëndrojnë në burg”.

Për këtë ka pyetur se pse nuk publikohen “bombat” që u paralajmëruan dhe pse nuk po zbardhet e vërteta.

Deputetit të Alternativës, Skender Rexhepi për rastin “Monstra” i është përgjigjur kryeministri Zoran Zaev. Ai ka thënë se rastet e tilla, nuk janë punë e tij, as e Rexhepit, por e prokurorisë dhe gjyqësorit.

“Jam takuar me familjet e të dy palëve, të akuzuarve dhe të dëmtuarve. I kam dëgjuar. Por, në fund është gjyqësori ai që merr vendime. Pse atë vit kur keni bashkë me mua në pushtet, nuk keni bërë diçka? Sepse nuk është puna ynë. As punë e juaja, e as e imja. Kjo është punë e Prokurorisë Publike dhe e Gjykatës”, u shpreh Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Por për këtë përgjigje, Rexhepi nuk ishte i kënaqur. Tha se zgjidhje ka, duke pasur mbikëqyrës nga jashtë.

Ndryshe për rastin Monstra nesër është paralajmëruar protestë në Shkup.

 

 

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close