
Atje ku zilja nuk cingëroi, sepse ata ikën!
Sot zilja nuk ra në shumë shkolla shqiptare. Atje në majë dhe këtu në rrafsh, sepse ata shkuan, shkuan atje ku bukës nuk i thonë bukë e as ujit ujë…
Ndër vite më kujtohet sakrifica për arsimin shqip.
Të vjetrit më tregonin si kishin bërë konak mësuesit Brahim në fshatin tonë, vetëm e vetëm të binte zilja e shkollës. Natyrisht, varfëria shumë më e madhe se sot, kushtet shumë më të rënda se sot!
Gjyshi nga nëna më tregonte se si nëna kishte ardhur në këmbë, së bashku me tezen, nga Treboshi, dimrit dhe verës, për t’u arsimuar. Babi më tregonte si kishte udhëtuar nga Pallçishti i Epërm në Prishtinë për t’u kthyer si mësuesi i parë në fshat.
Sot shkollat nuk na i mbylli askush, na i mbyll lakmia për një jetë të ëndërruar si në serialet turke…
Së fundmi, ata shkuan, mbyllën dyert e shtëpive të tyre, lanë lagjet e fshatrat, sepse atje është më mirë.
Por, kur të kthehen një ditë, a do të jemi?
Apo ndoshta s’do të keni kujt t’i thoni mirëdita, s’do të keni një mik për dasmë e vdekje, sepse të gjithë do të jenë atje. Këtu, kështu, as varr s’do të kemi, as nam e as nishan. S’do të na mbetet një adresë ku të rrëfejmë, si në këtë shkrim timin, sepse atëherë “Hansi” do të jetë historia.
Kush s’do ta njohë Luigj Gurakuqin, Murat Isakun, Rexhep Vokën, Fadil Sulejmanin, ashtu si shumë nuk e dinë “Nënën Terezë”?
Kur të vijë dita, ju do të pendoheni, por shkollat tona s’do të jenë.
Ti, shkollë, më fal dhe, njëkohësisht, faleminderit që po ruan kujtimet aq sa koha të të japë jetë…




