
Rruga drejt shkollës periferike “Abdyl Frashëri” në fshatin Sellcë e Keqe sot është plotësisht e heshtur. Oborri ku dikur dëgjoheshin zërat e fëmijëve, këtë shtator ka mbetur bosh. Për shkak të mungesës absolute të nxënësve, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit dyert e saj të qëndrojnë të mbyllura.
“Kjo është shkolla periferike ‘Abdyl Frashëri’ në fshatin Sellcë e Keqe, në Komunën e Bogovinës. Kjo shkollë, me vendim të Ministrisë së Arsimit, për këtë vit është e mbyllur, për shkak se më nuk ka asnjë nxënës të regjistruar në klasë të parë apo në klasë të tjera”.
Autoritetet lokale arsimore konfirmojnë se shkolla ka mbetur pa asnjë paralele aktive. Megjithëse procedurat administrative për mbylljen e saj përfundimtare juridike ende vazhdojnë, procesi mësimor këtu ka ndaluar plotësisht.
“Rastin konkret, në bazë të të dhënave që na i dërgoi shkolla fillore ‘Abdyl Frashëri’, më konkretisht për shkollën periferike në fshatin Selltë e Keqe, nuk kemi të regjistruar asnjë nxënës dhe nuk kemi asnjë nxënës edhe prej klasës së dytë deri në klasën e nëntë. Dhe de facto ne, normalisht, e informuam Ministrinë që ajo shkollë nuk ka asnjë nxënës. Ne normalisht, juridikisht ende nuk e kemi mbyllur atë shkollë, me shpresë që ndoshta në të ardhmen do të kemi ndonjë nxënës. Mirëpo në… të dhënat që i kemi dërguar në Ministri, kemi transmetuar se ajo shkollë momentalisht nuk ka nxënës. Nëse do të paraqitet ndonjë nxënës brenda vitit, domethënë ai do të bartet me transport në shkollën qendrore në Bogovinë”, theksoi Minur Asani nga sektori për arsim, komuna e Bogovinës.
Sellca e Keqe nuk është i vetmi fshat që përballet me shpopullimin e bankave shkollore. Trendi alarmant i rënies së numrit të nxënësve po prek edhe vendbanime të tjera të Komunës së Bogovinës, si Jellovjani, ku në të gjitha klasat numërohen vetëm tre nxënës, ndërsa në klasë të parë nuk u regjistrua asnjë pranim i ri.
“Po, në fshatin Jellovjan për momentin në klasë të parë nuk ka të regjistruar asnjë nxënës. Nëfshatin Novosellë kemi 18 nxënës. Gazetari: Sa nxënës ka në fshatin Jellovjan në tërësiNë tërësi atje ka 3 nxënës”, shtoi Asani.
Gjendja në Bogovinë pasqyron një problem më të gjerë në nivel vendi. Vetëm për këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit ka marrë vendim për mbylljen e 26 shkollave periferike në të gjithë Maqedoninë e Veriut, si pasojë e braktisjes së fshatrave dhe rënies drastike të natalitetit.



