
Ambasadori i Irlandës, Brendan Ward, gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës së Bashkimit Evropian, vetëm disa fjali ia kushtoi zgjerimit të BE-së. Ai tha se do të angazhohen për integrimin sa më të shpejtë të vendeve të rajonit në Union, ndërsa për Maqedoninë përmendi shkurt se e mbështesin fuqishëm.
“Ne do të punojmë drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe do të përpiqemi të arrijmë përparim thelbësor në negociatat me Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Sigurisht, ne e mbështesim fuqishëm edhe Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe do të punojmë së bashku me partnerët në Union dhe me autoritetet këtu në Shkup për të parë se çfarë përparimi mund të arrihet në këtë drejtim”, tha Brendan Ward, ambasador i Irlandës.
Zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, tha se është inkurajues fakti që integrimi i rajonit mbetet lart në agjendën e BE-së.
“Qeveria jonë mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, qasja jonë është e qartë, integrimi evropian nuk është një përcaktim deklarativ, por një proces që kërkon rezultate konkrete, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të vazhdueshëm të obligimeve të marra”, pohoi Viktorija Trajkov, zëvendësministre për Çështje Evropiane.
Sipas kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, për ne, por edhe për rajonin në përgjithësi, është shumë i rëndësishëm konkurrueshmëria e Bashkimit Evropian.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët unik evropian. Dhe me integrimin e rritur të të gjithë rajonit në tregun e përbashkët evropian, konsiderojmë se konkurrueshmëria e Bashkimit Evropian do të fitojë peshë shtesë dhe do të rritet potenciali tregtar dhe ekonomik i të gjithë kontinentit evropian”, theksoi Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Dje në Bruksel u mbajtën katër konferenca ndërqeveritare për anëtarësim me Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Euroambasadori Rokas ndërkohë tha se shpreson që edhe Maqedonia e Veriut do t’i ndjekë këto vende dhe së shpejti do të nisë negociatat e anëtarësimit.



