LajmeMaqedoni

Pezullohet fondi për përkthimet e autorëve vendas

Ky konkurs, i cili zhvillohet që nga viti 2013 ndihmonte që krijimtaria letrare vendase të arrinte më lehtë te lexuesit jashtë vendit. Ndërsa botuesit ankohen, MKT thotë se pezullimi është bërë pas borxhit të trashëguar prej 4 milionë denarësh dhe se do të riformatojë kushtet dhe kriteret për përzgjedhjen e autorëve që do të përkthehen në të ardhmen.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e ka shfuqizuar konkursin për bashkëfinancimin e botuesve të huaj për përkthimin e librave të autorëve nga Maqedonia. Ky konkurs, i cili zhvillohet që nga viti 2013 ndihmonte që krijimtaria letrare vendase të arrinte më lehtë te lexuesit jashtë vendit. Paradoksi qëndron në faktin se ministria çdo vit ndan fonde të konsiderueshme për pjesëmarrjen e botuesve në Panairin e Librit në Frankfurt, ndërsa pezullimi për këtë vit ka ndodhur për arsye financiare. Sipas MKT, konkursi është shfuqizuar për shkak të një borxhi të trashëguar prej rreth 4 milionë denarësh, por dhe për shkak të dobësive të tjera të konstatuara.

Sipas tyre nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme ndikimit fiskal mbi buxhetin, për shkak të së cilës Ministria e Kulturës dhe Turizmit trashëgoi një borxh prej disa milionë denarë. “Pikërisht për këto arsye u vendos që konkursi të rishqyrtohej në mënyrë të thelluar, me qëllim që kjo masë të vazhdojë të realizohet. Analiza tregoi edhe dobësi të tjera në zbatimin e tij, ndër të cilat mbështetja e përsëritur për të njëjtët autorë, si dhe financimi i veprave që nuk i përkasin fushës së kulturës dhe nuk përputhen me qëllimin themelor të konkursit” , kanë deklaruar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Nga ana tjetër MKT siguron se në shtator do të shpallet një konkurs i ri për financimin e përkthimeve të veprave përfaqësuese dhe cilësore të letërsisë vendase në gjuhë të huaja. Ky konkurs do të ketë një buxhet të përcaktuar qartë, kushte, masa dhe kritere të qarta, me qëllim sigurimin e një modeli më transparent të mbështetjes, trajtim të barabartë për aplikuesit dhe menaxhim më të përgjegjshëm të mjeteve buxhetore.

Këto ditë disa botues janë ankuar publikisht për këtë vendim dhe theksojnë se shfuqizimi i këtij konkursi bie ndesh me mbështetjen që shteti u jep autorëve vendas për prezantimin e tyre në panairet e mëdha të librit jashtë vendit. Po ashtu kanë reaguar edhe nga Komisioni i Kulturës i Lidhjes Social Demokrate të cilët theksojnë se Ministria duhet të shpjegojë publikisht arsyet për shfuqizimin apo pezullimin, nëse jo, kur do të shpallet dhe sa botues të huaj dhe autorë vendas kanë mbetur pa mundësinë e mbështetjes për shkak të, siç vlerësojnë ata, kësaj papërgjegjshmërie. Sipas tyre ky nuk është një rast i izoluar, në dy vitet e fundit sektori kulturor ka dëshmuar shfuqizimin e programeve, vonesat, mungesën e transparencës dhe mungesën e një politike të qartë kulturore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close