
Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, është zmbrapsur nga propaganda se një nga fuqitë e mëdha do të tërheqë trupat e KFOR’it nga territori i Kosovës.
Përgjatë vizitës në Bruksel, Vuçiq bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Jens Soltenberg, duke thënë se ky i fundit ia bëri me dije që prezenca e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor është e rëndësishme, raporton Tanjug.
“Ne kishim pyetje të caktuara në lidhje me spekulime të caktuara dhe morëm një përgjigje të qartë nga Sekretari i Përgjithshëm. Ai theksoi rëndësinë e KFOR’it. Unë mendoj se kjo do të sjellë qetësi në zemrat e njerëzve, jo vetëm në Kosovë, por në rajonin në tërësi”, deklaroi ai.
Megjithatë, i pari i Serbisë, ditë më para në një konferencë para medieve deklaronte se kishte marrë informacione nga burime zyrtare se njëra nga fuqitë e mëdha do t’i tërheqë trupat nga Kosova.
“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, deklaronte Vuçiq para gazetarëve më 13 maj, transmeton express.
Një zyrtar i NATO’s, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ia kishte bërë me dije Radio Evropës së Lirë se të gjitha vendimet merren në pajtueshmëri me 30 vendet anëtare të organizatës ndërkombëtare



