LajmeRajon

Vuçiq s’arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët

Rënia e Qeverisë së Serbisë nën presionin e protestave – përmasat e të cilave Serbia nuk i ka parë që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – mund të jetë humbja e parë politike për presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, prej se ka marrë pushtetin në vitin 2012.

Protestat udhëhiqen nga studentët. Ata nuk kërkojnë ndryshimin e Qeverisë, por përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Në qendër të protestave janë dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga neglizhenca dhe korrupsioni i përhapur.

Ato janë bërë tashmë simbol i pakënaqësisë më të madhe me sundimin e ligjit në Serbi.

“Kjo nuk është vetëm kriza më e rëndë politike e pushtetit, por edhe një krizë e thellë sociale. Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e Qeverisë, por korrigjimin e sistemit. Dhe, Vuçiq nuk është në gjendje ta gjejë çelësin e bravës që kanë vendosur”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

Kur Vuçiq i fton në bisedime, studentët thonë se ai nuk është kompetent.

Kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe profesorë universitetesh, pedagogë, juristë e fermerë.

Disa mësimdhënës kanë pezulluar mësimet në shkolla, Oda e Avokatëve e Serbisë ka hyrë në grevë njëmujore, fermerët janë duke “ruajtur” me traktorë bllokadat që studentët u kanë bërë mbi 60 fakulteteve…

Studentëve u janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë në protesta, përfshirë gjimnazistë, punonjës të shëndetësisë, inxhinierë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të shumta publike.

Radio-Televizioni i Serbisë (RTS), i cili i ka injoruar kryesisht protestat, ka hapur programin e lajmeve fundjavën e kaluar me protestat në Novi Sad.

Raportimi i transmetuesit publik, i cili është nën kontroll të rreptë të pushtetit, është përcjellë me pamje me dronë, të cilat kanë treguar dhjetëra mijëra njerëz duke protestuar dhe duke bllokuar tri ura mbi lumin Danub.

*Pamje nga protesta e gjatë natës mes 27 dhe 28 janarit që bllokoi për 24 orë njërën prej rrugëve më të rëndësishme kryqëzuese në Beograd.

Pas disa protestave masive para ndërtesës së RTS-së, për shkak të mënyrës së raportimit, atyre u janë bashkuar edhe disa punonjës të transmetuesit publik, duke kërkuar ndryshimin e udhëheqjes.

Përveç transmetuesve publikë, pushteti në Serbi kontrollon edhe stacionet televizive private me mbulim kombëtar.

Tabloidët proqeveritarë janë, gjithashtu, një armë e fuqishme mediatike në përpjekjet për diskreditimin e protestave aktuale dhe të mëparshme.

Edhe pse i akuzon “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje, Vuçiq nuk është duke u përballur me ndonjë reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare për ngjarjet në Serbi. Bashkimi Evropian nuk ka sqaruar ende nëse i mbështet kërkesat e protestuesve.

Më 4 shkurt, Zyra e Vuçiqit ka njoftuar se ai ka folur në telefon me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Related Articles

Back to top button
Close
Close