
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke e lidhur këtë me, siç tha ai, qëndrimin e autoriteteve të Prishtinës ndaj serbëve në Kosovë.
Një ide të tillë Vuçiqi e kishte përmendur edhe para dy vjetësh, kur kishte mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që kishte dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas Vuçiqit, që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër për nevojat e popullsisë në vendbanimet pranë liqenit. Sipas tij, një veprim i tillë do të mund të ndikonte në uljen e nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit, nga i cili furnizohet me ujë Kosova.
Ai ka thënë se kjo mund të realizohet përmes një vendimi të Qeverisë së Serbisë.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiqi të dielën për gazetarët gjatë vizitës së punimeve në Urën e Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Vuçiqi flet edhe për rrënimin e vilave pranë Ujmanit
Presidenti serb ka folur edhe për rrënimin e vilave përreth liqenit të Ujmanit, duke thënë se po i përcjell nga afër këto zhvillime.
Incredibile: Le scarpe più comode del 2026. Un successo tra gli over 40
Scarpe Movimento Libero
La tomba di Gesù è stata aperta e gli scienziati hanno scoperto qualcosa di sorprendente (1)
Do It Houses
by Taboola
Vilat e rrënuara përreth Ujmanit kanë qenë objekte të ndërtuara pa leje në hapësirën që është nën administrimin e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”. Deri më tani janë rrënuar dhjetëra prej tyre.
Vuçiqi ka deklaruar se Serbia, siç e cilësoi ai, është shtet sovran dhe se vendimet e saj do të bazohen në interesat e saj.
“Ne jemi një shtet sovran, e dini. Ndonjëherë kemi interesa të këtij lloji, ndonjëherë të një lloji tjetër dhe, në përputhje me këto interesa, do të sillemi. Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyeteni popullin tonë në Kosovë se te kush e shohin të vetmin mbrojtës, sepse unë i shoh shumë mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Dhe është shumë e vështirë. Ndërsa, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, ka shtuar Vuçiqi.



