
Partia opozitare LSDM dhe ajo në pushtet VMRO-DPMNE janë përplasur në distancë në lidhje me zhvillimin e ekonomisë së vendit. Sipas VMRO – DPMNE-së, se turizmi është një nga prioritetet strategjike të Qeverisë, ndërsa rezultatet e politikave të zbatuara tashmë janë të dukshme. Deputeti Aleksandar Jamalov nga kjo parti gjatë një konference për media, ku paraqiti të dhëna në lidhje me turizmin, tha se, me masa konkrete po përmirësohet infrastruktura turistike, po avancohen lidhjet ajrore, rrugore dhe hekurudhore, po krijohen kushte më të mira për investime të reja dhe po sigurohet mbështetje e fuqishme për zhvillimin e turizmit rural.
Aleksandar Jamalov, deputet i VMRO – DPMNE-së
“Trendi pozitiv konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare statistikore, ku në pesë muajt e parë të vitit, numri i turistëve të huaj është rritur me 23,6 për qind, ndërsa numri i netëqëndrimeve të realizuara është më i lartë për 18,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto janë rezultate konkrete që tregojnë se Maqedonia po bëhet një destinacion turistik gjithnjë e më tërheqës”.
Ai ka theksuar se më shumë turistë sjellin më shumë të ardhura, vende pune dhe mundësi zhvillimi për bizneset dhe komunitetet lokale.
Por, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar nga LSDM-ja. Partia në opozitë ka ironizuar me pretendimet e pushtetit për rritje ekonomik, duke thënë se, “për Mickoskin kufiri është qielli”.
LSDM
“Sipas Mickoskit dhe grupit të tij kriminel të VMRO-së, Maqedonia është parajsë: ekonomia e tretë në Evropë (pa koment), e para për turizëm (ndoshta për shkak të ekskursionit të VMRO-së dhe Mickoskit), aeroporti i parë në Evropë (me shumë gjasë për shkak se të rinjtë ikin nga vendi), Ekonomia e Maqedonisë ka rritje më të shpejtë (njerëzit zhyten në varfëri, nuk kanë për bukë)”.
Më tej kanë shtuar se, qytetarët nuk janë as të verbër, as të shurdhër e aq më pak naivë, ata kanë statistikat e tyre të përditshme dhe e dinë më së miri se si kanë jetuar këto dy vite – me kuletën dhe frigoriferin bosh.



