
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot e priti liderin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, organizoi një darkë në nder të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili sot mbërriti në vizitën e tij të parë zyrtare bilaterale në Serbi.
Përmes një postimi në Instagram, Vuçiq shprehu pritshmërinë se kjo vizitë do të japë një impuls shtesë në marrëdhëniet mes dy vendeve, raportoi 4news.mk:
“Jam i kënaqur që kam mundësinë të pret presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili për herë të parë qëndron në një vizitë zyrtare në Serbi. Besoj se kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Ukrainës dhe për bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët”, shkroi Vuçiq.
Presidenti serb i uroj mirëseardhjen Zelenskyt në Beograd dhe theksoi se darka joformale ishte një mundësi e shkëlqyer për të hapur çështjet që do të jenë në fokus të takimeve zyrtare të nesërme.
“Biseduam për rrugën evropiane të vendeve tona, por edhe për mundësinë që mysafirëve t’ua afrojmë shpirtin e Serbisë dhe një pjesë të traditës me të cilën jemi krenarë”, shtoi Vuçiq.
Presidenti ukrainas sot u ul në aeroportin e Beogradit «Nikola Tesla», ku u prit nga ministrja serbe e minierave dhe energjetikës, Dubravka Đedović Handanović. Kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Serbi që nga marrja e detyrës si president i Ukrainës.



