
Polonia ka forcuar ndjeshëm pozitën ekonomike në Evropë, duke u bërë ekonomia e gjashtë më e madhe në Bashkimin Evropian. Rritja e shpejtë ekonomike ka bërë që vendi të ngjitet në renditje dhe të lërë pas disa ekonomi të njohura evropiane.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Polonisë po i afrohet tashmë shifrës prej 1 trilion eurosh, ndërsa ekonomia e vendit vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta.
Në renditjen e re të ekonomive të BE-së, Polonia ka kaluar Belgjikën, Suedinë, Irlandën dhe Austrinë, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë.
Pesë ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian mbeten të pandryshuara. Në krye qëndron Gjermania, e ndjekur nga Franca, Italia, Spanja dhe Holanda, shkruajnë mediat.
Rritja ekonomike e Polonisë është mbështetur nga investimet, zgjerimi i industrisë, rritja e konsumit të brendshëm dhe integrimi i mëtejshëm i vendit në ekonominë evropiane.
Parashikimet e fundit sugjerojnë se ky trend mund të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Sipas projeksioneve, Polonia mund ta tejkalojë Zvicrën për nga PBB-ja nominale deri në vitin 2028.
Nëse ky parashikim realizohet, Polonia do të hyjë edhe në mesin e 20 ekonomive më të mëdha në botë, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në transformimin ekonomik të vendit.
Rritja e Polonisë po ndryshon gradualisht edhe balancat ekonomike në Evropë. Nga një ekonomi që për dekada ishte dukshëm më e vogël se fuqitë kryesore të kontinentit, Polonia tashmë po afrohet me grupin e ekonomive më të fuqishme evropiane.
Zhvillimi i saj ekonomik pritet të ketë rëndësi jo vetëm për Poloninë, por edhe për Bashkimin Evropian, pasi vendi po shndërrohet në një prej qendrave kryesore industriale, tregtare dhe investuese të Evropës Qendrore dhe Lindore.



