LajmeRajonTopLajm

Vuçiç largohet nga drejtimi i partisë përparimtare serbe (SNS)

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në një kongres të partisë të shtunën, por tha se do të mbetet president i shtetit. Në vend të tij në krye të partisë do të jetë ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç.

Një tjetër protestë antiqeveritare u mbajt të shtunën në Beograd.

Partitë opozitare dhe vëzhguesit e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar prej kohësh Vuçiçin dhe Partinë Përparimtare për autokraci, mbytje të lirisë së medias, dhunë kundër kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Në tri protesta të mëdha antiqeveritare të mbajtura në fillim të këtij muaji në Beograd, por edhe të shtunën, demonstruesit kërkuan rrëzimin e presidentit Vuçiç si dhe dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të sigurisë. Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro presidentit Vuçiç, që promovojnë dhunën dhe shpesh ftojnë kriminelë të dënuar lufte dhe figura të tjera të krimit.

Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë akuzat dhe fajësojnë opozitën për dëmtim të Serbisë në një periudhë kur sipas Vuçiçit po përballet me një periudhë të vështirë për Kosovën.

”Ne do të ruajmë paqen; do të kërkojmë paqe. Unë do të luftoj çdo sekondë që paqja të zgjasë më shumë, por po ju them; në sulmin e parë ndaj serbëve në veri të Kosovës, Serbia nuk do rrijë duarkryq”, u tha presidenti Vuçiç të tubuarve të premten në mbrëmje në Beograd.

Ai i tha kongresit se do të qëndrojë në krye të shtetit dhe do të mbetet anëtar i partisë, e cila do t’i bashkohet një organizate politike ombrellë që Vuçiç planifikon ta krijojë më 28 qershor të cilën e ka quajtur Lëvizja Popullore për Shtetin.

Aleksandar Vuçiç u bë kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në vitin 2012, duke zëvendësuar Tomislav Nikoliçin, i cili mbante postin që nga viti 2008 kur partia u formua si një degë e Partisë Radikale Serbe të ultranacionalistit Vojislav Sheshel.

Alekasnadar Vuçiç fillimisht shërbeu si zëvendëskryeministër dhe kryeministër, dhe më pas u zgjodh president në vitin 2017 dhe në në vitin 2022. Mandati i tij i dytë dhe i fundit skadon në vitin 2027.

Një nacionalist i zjarrtë gjatë luftërave në vitet e 90-ta Vuçiçi më vonë përqafoi politikat pro-evropiane, duke shpallur anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian synimin e tij strategjik. Por ai mban gjithashtu lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë./VOA

Related Articles

Back to top button
Close
Close