
Koalicioni VLEN ka bërë të ditur se, sipas një sondazhi të realizuar gjatë muajit qershor nga Instituti për Hulumtim Stratum R&D, renditet si forca e parë politike në bllokun shqiptar, me 34 për qind të mbështetjes, kundrejt 30 për qind të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Sipas VLEN-it, në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin qytetarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, 34 për qind e të anketuarve janë deklaruar për VLEN-in, ndërsa 30 për qind për BDI-në.
Koalicioni thekson se kjo është anketa e dytë brenda dy muajve që e rendit VLEN-in përpara BDI-së, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rritjes së besimit qytetar.
“Rezultatet e këtij sondazhi janë tregues i qartë se qytetarët po e ndajnë politikën e rezultateve nga politika e propagandës. Dy vite punë konkrete kanë mjaftuar për të dëshmuar se shqiptarët nuk mashtrohen më nga retorika boshe dhe se mbështetja fitohet me vepra, jo me fjalë”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Në njoftim, koalicioni numëron një sërë projektesh dhe nismash që i konsideron si arritje të qeverisjes, mes tyre miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Ligjit për Lojërat e Fatit, Ligjit për Medresenë, Ligjit për Jurisprudencën dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, si dhe mundësimin e mbi 40 provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
Po ashtu, VLEN përmend funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë, realizimin e 306 projekteve për komunat shqiptare, hapjen e mbi 2.500 bizneseve të reja, mijëra punësime dhe avancime, fillimin e ndërtimit të kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, investimin prej 20 milionë eurosh për fazën e tretë të Sheshit “Skënderbeu”, rikonstruktimin e Spitalit të Tetovës me vlerë 74 milionë euro, ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë dhe të Korridorit 8, si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.
Në fund të njoftimit, VLEN ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, duke vlerësuar se mbështetja e fituar është rezultat i punës dhe projekteve të realizuara.



