
Propozimi i ribalancit të plotësuar për Buxhetin e vitin 2026 siguron mjete shtesë për përshpejtimin e investimeve kapitale, mbështetjen e bujqësisë, komunave dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, si dhe plotësimin e pandërprerë të detyrimeve ligjore. Ndryshimet e propozuara janë të destinuara drejt vazhdimit të politikave për stabilitetin ekonomik, zhvillimin dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë parashtrimit të plotësimit të Propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026 para deputetëve në Kuvend. Ministrja theksoi se plotësimi i Propozimit përfshin ndryshimet e propozuara nga Qeveria, si dhe amendamentet që u pranuan gjatë debatit në komisionin parlamentar amë, duke përforcuar më tej mbështetjen për qytetarët dhe politikat zhvillimore.
“Plotësimi i Propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026 paraqet harmonizim të përgjegjshëm dhe në kohë të projeksioneve buxhetore me rrethanat e reja ekonomike, si dhe siguron mjetet e nevojshme për plotësimin e detyrimeve ligjore që kanë lindur ndërkohë dhe për realizimin e prioriteteve zhvillimore. Me këto ndryshime sigurojmë mjete për pagesën e pagave të rritura në sektorët ku është paraparë rritje, mbështetje shtesë për bujqësinë, më shumë mjete për mbrojtjen sociale dhe për komunat. Ajo që e veçon veçanërisht këtë ribalanc është sigurimi i mjeteve shtesë për përshpejtimin e ciklit investues dhe realizimin e projekteve infrastrukturore”, theksoi Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se, pavarësisht pasigurisë së vazhdueshme ekonomike globale të shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike, ekonomia maqedonase vazhdon të dëshmojë qëndrueshmëri dhe stabilitet.
Për vitin 2026 është projektuar rritje reale e prodhimit të brendshëm bruto prej 3.5%, ndërsa shtytësi kryesor i aktivitetit ekonomik do të jenë investimet, të mbështetura nga realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore dhe investimeve kapitale në nivel qendror dhe lokal. Pritet që investimet të rriten me 7.2%, paga mesatare neto me 8.3%, papunësia të ulet më tej në 11%, ndërsa shkalla e punësimit të arrijë në 47%. Inflacioni mesatar i projektuar për vitin 2026 është 4.5% dhe, në pjesën më të madhe, kushtëzohet nga presionet e jashtme mbi çmimet dhe zhvillimet gjeopolitike.
Veçanërisht u theksua realizimi i shpenzimeve kapitale, të cilat në periudhën janar–qershor arritën në 19.4 miliardë denarë, ose 53.5% më shumë krahasuar me periudhë e njëjtën të vitit të kaluar.
Duke iu referuar projeksioneve fiskale, Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se, me ribalancin, të hyrat e përgjithshme rishikohen në 379.5 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 1.2% krahasuar me Buxhetin fillestar. Të hyrat tatimore mbeten pothuajse në nivelin e planifikuar fillimisht dhe projektohen në 213.2 miliardë denarë, ndërsa realizim më i lartë pritet te të hyrat jotatimore dhe donacionet. Ulja e të hyrave nga akcizat dhe pjesërisht nga TVSH-ja është rezultat i masave të Qeverisë për uljen e akcizave për derivatet e naftës, me qëllim zbutjen e goditjes së çmimeve ndaj qytetarëve dhe ekonomisë. Në anën e shpenzimeve, mjetet rishikohen në 425.8 miliardë denarë dhe destinohen drejt prioriteteve të përcaktuara qartë – sigurimin e mjeteve për plotësimin e detyrimeve ligjore, rritjen e pagave, mbështetjen e bujqësisë, mbrojtjen sociale, komunat dhe investimet kapitale. Njëkohësisht, shpenzimet për mallra dhe shërbime ulen me rreth 800 milionë denarë përmes rialokimit të mjeteve, duke ruajtur përkushtimin për një menaxhim racional dhe të disiplinuar të financave publike.
Njëkohësisht, përmes amendamenteve të miratuara janë siguruar mjete për mbështetjen e grave të cilat kryejnë veprimtari bujqësore, për krijimin e linjës nacionale SOS për viktimat e dhunës në familje, si dhe për hapjen e vënien në funksion të dy qendrave të kujdesit për viktimat e dhunës.
Po ashtu, me plotësimin e Propozimit të ribalancit janë siguruar mjete për realizimin e disa projekteve dhe aktiviteteve prioritare. Janë paraparë 6 milionë denarë për transportin e ujit në vendbanimet e komunës së Gostivarit, për shkak të shpalljes së epidemisë, 1 milion denarë për Drejtorinë e Ekzekutimit të Sanksioneve, 10 milionë denarë për rikonstruimin e fakulteteve përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe 12 milionë euro për Prokurinë Publike për vazhdimin e licencës për prokurimin e softuerit.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave janë siguruar mjete shtesë prej 170 milionë denarëve për ndërtimin e qendrave të shpërndarjes në Shkup dhe Strumicë, si dhe rinovimin dhe adaptimin e objektit të IPARD-it. Njëkohësisht, janë bërë rialokime të mjeteve brenda shfrytëzuesve të buxhetit dhe xhirollogarive vetanake, të cilat nuk kanë efekt fiskal, por janë në funksion të zbatimit më efikas të prioriteteve dhe projekteve të përcaktuara. Shpenzimet kapitale po rriten në rreth 46 miliardë denarë, që është 5.8 miliardë denarë më shumë se buxheti fillestar dhe është konfirmimi më i fortë se Qeveria, me këtë ribalanc, mbetet e fokusuar në investime që do të stimulojnë rritjen ekonomike dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Mjetet janë destinuar për realizimin e projekteve infrastrukturore me rëndësi nacionale dhe lokale, mes të cilave edhe ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10D, infrastruktura hekurudhore, projektet energjetike dhe komunale, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbeturinave, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe investimet në komuna.
“Ky ribalanc nuk është ndryshimi i drejtimit, por konfirmimi i vendosmërisë sonë për të përshtatur politikat në kohë me kushtet reale ekonomike, pa hequr dorë nga objektivat zhvillimore. Vazhdojmë të investojmë aty ku krijohet vlerë e re, për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë, dhe për të ndërtuar ekonomi më rezistente, më konkurruese dhe të përgatitur për rritje të ardhshme”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska. Ajo i ftoi të gjithë deputetët që ta përkrahin plotësimin e Propozimit për ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2026, duke theksuar se me miratimin e tij do të sigurohen mjete për plotësimin pa ndërprerje të detyrimeve ligjore, vazhdimin e investimeve dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, si bazë për rritjen e mëtejshme ekonomike dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët.
Sipas Rregullores së punës, debati parlamentar mbi ribalancin e propozuar të Buxhetit për vitin 2026 zgjat deri në 5 ditë.



